Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Partia Demokratike Joe Biden, ka folur për Kosovën dhe për Shqipërinë.
Në deklaratën e lëshuar bashkë me kandidaten për nënpresidente Kamala Harris, Biden ka theksuar se “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Poashtu, aty theksohet se Biden e kishte përkrahur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Biden në deklaratën e tij, ka kritikuar presidentin aktual Donald Trump, duke e akuzuar atë për “politikë të pabalancuar” ndaj Kosovës dhe Serbisë, përcjell Bota sot.
Ai është zotuar se do të punojë me Bashkimin Evropian, për të ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes mes të dyja vendeve, që do të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe do të rezultojë me njohjen reciproke.
“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratën e Bidenit.
Biden ka thënë se do të përkrah edhe Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE./BS