Biden i bën thirrje guvernatorit të New York-ut të japë dorëheqje

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje guvernatorit të shtetit New York, Andrew Cuomo, të japë dorëheqje pasi një raport tha se ka ngacmuar seksualisht 11 gra.

“Mendoj se ai duhet të japë dorëheqje. Unë e kuptoj se legjislatura e shtetit mund të vendosë për gjykimin. Unë e di atë në fakt”, tha Biden për guvernatorin demokrat në përgjigje të një pyetjeje nga një reporter në Shtëpinë e Bardhë.

Një hetim i pavarur në një raport të lëshuar dje më herët tha se Cuomo nga viti 2013 deri në vitin 2020 ngacmoi seksualisht shumë gra.

Zbulimi vjen pesë muaj pasi Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James, emëroi një komision të pavarur të udhëhequr nga dy avokatë të jashtëm për të hetuar pretendimet nga ish-punonjësit dhe ata aktual të shtetit New York. Akuzat përfshinin puthje, përqafime dhe prekje, si dhe komente të papërshtatshme.

“Administrata e Cuomo-s nxiti një mjedis pune ‘toksik dhe armiqësor’ që ishte i mbushur me frikë dhe i shoqëruar nga një anashkalim i vazhdueshëm i flirteve të papërshtatshme dhe komenteve të tjera sugjestionuese seksuale dhe në baza gjinore nga Guvernatori”, thuhet në raport.

Në raportin e tyre prej 168 faqesh, duke përdorur emrin e shtetit amerikan për t’iu referuar administratës së guvernatorit, hetuesit Joon Kim dhe Anne Clark shkruan se ato kushte “lejuan që ngacmimet seksuale të ndodhin dhe të vazhdojnë” dhe më tej “ndikuan në mënyrat e pahijshme dhe të papërshtatshme në të cilat Dhoma Ekzekutive i është përgjigjur akuzave për ngacmim”.

Menjëherë pasi raporti u bë publik, Cuomo, i cili ka pohuar pafajësinë e tij, në mënyrë të ashpër hodhi poshtë gjetjet, duke pretenduar se “faktet janë shumë të ndryshme nga ato që janë portretizuar”.

“Dua që ju ta dini drejtpërdrejtë nga unë se unë kurrë nuk kam prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme apo kam bërë përparime të papërshtatshme seksuale”, tha ai në një video mesazh.

“Jam 63-vjeç. Kam jetuar gjithë jetën time të rritur në publik. Ky thjesht nuk është ai që jam unë dhe nuk është ai që kam qenë unë ndonjëherë”, shtoi Cuomo.

Raporti duket se do të ndikojë në një hetim të vazhdueshëm brenda legjislaturës shtetërore për të përcaktuar nëse ka arsye që Cuomo të shkarkohet.