BFI: Qytetarë të shmangin vizitat gjatë festës së Kurban Bajramit

Në prag të festës së Kurban Bajramit, pozitiv ndaj Covid 19 ka rezultuar edhe ushtruesi i detyrës, kryetar i BFI-së, Shaqir Fetahu. Për këtë shkak, edhe mesazhi i Kurban Bajramit është bërë në formë tjetër, me qëllim shmangien e kontakteve me anëtarët tjerë të BFI-së. Në mesazhin e Kurban Bajramit mes tjerash thuhet se kjo festë është e gëzimit dhe paqes ndërsa lutje të bëhen edhe për tejkalimin e virusit korona.

…..me lutjet tona t’i drejtohemi të madhit Zot, që me mëshirën e Tij të lëshojë ndihmën e Vet të pakufishme që ta tejkalojmë sprovën e madhe, por të rrezikshme për njerëzimin, sëmundjen Covid-19 dhe njëherësh t’i lutemi që t’i shërojë të gjithë të sëmurët kudo në vend dhe anembanë botës, ndërsa viktimat që humbën jetën t’i përfshijë në mëshirën e Vet të pakufishme”-tha mes tjerash Shaqir Fetahu, u.d kryetar i BFI-së.

Për shkak të pamundësisë për të shkuar në haxh, këtë vit është rritur interesimi për të therë kurbane në vend. Nga BFI apelojnë për kujdes me mbetjet nga kurbani ndërsa apelojnë që gjatë ditëve të Bajramit vizitat tradicionale të jenë sa më të pakta.

Ata të cilët tashmë kanë vendosur të therin kurban në shtëpi të jenë shumë më të kujdesshëm, por do ti sugjeronim që atë ta bëjnë në thertore profesionale ku i plotësojnë të gjitha standardet edhe sanitare edhe shëndetësore”-pohoi Qenan Ismaili, kryetar i Muftisë së Shkupit.

Ndërmarrja Higjiena Komunale në Shuto Orizarë, Çair, Gazi Babë, Butel, Saraj dhe në Kala ka vendosur enë të posaçme për mbledhje të mbetjeve organike të kafshëve.

Hedhjet e pakontrolluara të këtyre mbetjeve të mos shkaktojnë ndonjë sëmundje të rëndë, sidomos nëpër hapësirat ku lëvizin qytetarët”-pohoi Abdylsamed Shabani, drejtor i N.P “Higjiena Komunale” Shkup.

17 enët e Higjienës Komunale do të qëndrojnë në këto lokacione nga data 30 korrik e deri më 1 gusht. Kurban Bajrami festohet të premten, më 31 korrik. Falja e Bajramit është në orën 06 e 06 minuta pa manifestim qendror./Alsat