Betimi i liderëve shqiptarë, një ‘Betimi i Hipokrati’!

Shkruan: Medai Shaholli

Pas tri dekadash të vendosjes së sistemit të shkërdhatokracisë me blofe për barazi mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve kemi ardhur në një pikë ku duhet vënduar pikat mbi ‘i’, ku nënshtrimi dhe pabarazia të quhen me emrin e saj shtypje dhe pabarazi.

Kësisoj, liderëve shqiptarë i honepsi më parë pushteti dhe karriera politike, makutëria për para të me gjithë leverditë korruptive dhe të pamerituara që ata përfituan nga ky pushtet, si shenjë mirënjohje dhe besnikërie ndaj kontratës së fshehur mes tyre, duke hequr dorë nga zotimet programore dhe elektorale për barazi të plotë mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonëve.

Premtimet e tyre u zbaltën nga koha që nuk mundën t’i realizojnë kurrë, ku përmes propagandës dhe gënjeshtrës së madhe të arritjes së barazisë së shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve që me MO, ata sendërgjuan sofizma dhe rrëfenja të pavrteta për barazinë edhe me ndryshimet e fundit në kushtetutë si bashkësi etnike e 20% në ‘dërzhavën’ tonë të dashur ‘Severna’ që na do dhe e duam shumë!

Statusi i pabarabartë juridik dhe politik mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve me kushtetut është dëshmia më e qartë e veprës së ndyrë tradhtare e subjekteve politike shqiptare dhe liderëve të tyre ndaj popullit shqiptar në ‘dërzhavën Severna’, që në këto tri dekada telendisën shqiptarët si mos më keq me pjesëmarrëjet e tyre në qeveritë e koalicionit.

Pa ‘betimin’ e liderëve shqiptarë shpirtshitur pushteti i ‘Severnës’ nuk do të arrinte kurrë t’i trajtonte shqiptarët si 20% si popull nomad pa identitet dhe pa gjuhë shqipe.
Ky ‘betim i Hipokratit’ nga ana e liderëve shqiptarë konfirmon gjithmonë e më shumë servilizmin dhe vasalitetin e tyre përmes atij ‘betimi për luajalizëm’ me heshtje dhe mosreagim (edhe nëse ndodh ndonjë reagim ai do të jetë një reagim ‘sa për sy e faqe’) ndaj thirrjeve shovene të komitëve dhe titistëve të rinj nëpër sheshet e ‘dërzhavës’ kundër shqiptarëve se ‘shqiptari i mirë është një shqiptar i vdekur’!

Është koha e fundit kur shqiptarët ta mësojnë të vërtetën se liderët tanë ‘nuk luftuan për të drejtat e shqiptarëve’ por për vete dhe për pushtetin.
Nofka e 20% është ‘dhurata më e shtrenjtë’ që shqiptarët kanë marrë ndonjëherë si shpërblim për luajalizëm të subjekteve politike shqiptare në historinë më të re.

Ndaj, që nesër mos të jetë vonë dhe mos themi se nuk e kemi ditur se jemi tradhtuar nga ‘tanët’, nuk vlen më!