Besimi: Konsolidimi fiskal dhe kursimet janë mënyra për ballafaqim me krizën

Ekonomia e Maqedonisë nuk pritet të hyjë në recesion në
vitin 2023, edhe pse ashtu si në vendet e Evropës, edhe tek ne projeksionet e rritjes
rishikohen në rënie.

Efektet e krizës do të jenë ende prezente dhe çelësi i daljes së sajë, jo vetëm në
vendin tonë, por edhe në nivel global janë kursimet në të gjitha nivelet dhe nga të
gjithë.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, i ftuar në emisionin 24
Analiza në TV 24, ku theksoi se me Planin e miratuar për qëndrueshmëri fiskale dhe
rritje ekonomike do të kursehen shpenzimet, por nuk do të ketë ulje të pagave të të
punësuarve.

  “Ndikimi i krizës energjetike dhe të çmimeve do të vazhdojë edhe në vitin e
ardhshëm. Duhet të jemi realistë sa i përket situatës dhe mos krijojmë pritshmëri
joreale se kjo gjendje do të kalojë shpejt. Efektet do të ndihen, por pavarësisht kësaj
edhe për vitin e ardhshëm planifikojmë rritje prej 2.9%, por ajo që ka rëndësi është të
përgatitemi për një periudhë, që definitivisht pavarësisht nevojave që do të paraqiten
për t’u ballafaquar me krizën, do të ketë nevojë edhe të kursejmë” theksoi ministri
Besimi.

Ministri Besimi shtoi se kursimi mund ta ndryshojë situatën në mënyrë të
konsiderueshme dhe se reaksioni i parë që duhet të ndërmerret është konsolidimi
fiskal ose zvogëlimi i shpenzimeve në sektorin publik, që do t’a ulë presionin mbi
normat e interesit, me ç’rast do të ndikojë edhe mbi rritjen ekonomike.
“Tashmë janë miratuar masat për kursim. Qeveria miratoi Planin për qëndrueshmëri
fiskale, i cili përfshin masa dhe rekomandime për konsolidimin e shpenzimeve, por
tani ato nuk janë vetëm rekomandime, por ka kursime konkrete. Të gjithë janë të
vetëdijshëm për gjendjen. Në Qeveri diskutohet mbi këtë gjë dhe pjesa më e madhe
e ministrave ofrojnë propozime dhe vlerësime. Tanimë u publikua se kishte kursime
të energjisë elektrike prej 20%, për shembull ne në Ministrinë e Financave kemi
kursyer rreth 30%”, tha Besimi.

Lidhur me rekomandimet dhe masat për kursimin e shpenzimeve për paga të këtij
plani, ministri sqaroi se nuk do të ketë ulje të pagave.
 

Sipas masave dhe rekomandimeve, vetë institucionet do të bëjnë vlerësim se si do t'i
zbatojnë dhe propozojnë lidhur me to.  Në asnjë moment, as unë e as ndonjë tjetër
nuk ka thënë se do të ulen pagat e të punësuarve në sektorin publik.  Përkundrazi,
ne punojmë për zgjidhje që do të rrisë pagat në sektorin publik dhe pritet të
përfundojë metodologjia deri në fund të vitit”, theksoi ministri, i cili shtoi se duhet të
rishikohen ato paga që shkaktojnë distorzione në sistem.

Ministri potencoi se duhet dhënë sinjal i qartë për uljen e kostove në aspekt ta asaj
që të intensifikohet spiralja inflacioniste. “Punëtorët reagojnë me të drejtë, se nëse
rriten çmimet duhet të rriten edhe pagat, por ky cikël, nëse rriten pagat, do të rriten
kostot e kompanive, çmimet do të rriten dhe kjo spirale mund të çojë vetëm në
hiperinflacion, i cili nuk duhet lejuar”, theksoi ministri.

Ministri Besimi theksoi se investimet e parashikuara me kornizën katërvjeçare të
bashkëpunimit investohet në përmirësimin e infrastrukturës, kapitalin njerëzor dhe
menaxhimin e financave publike.

Vlera e kornizës ekzistuese katërvjeçare e bashkëpunimit ishte 420 milionë dollarë,
por për shkak të krizës me Kovidin u miratuan 508 milionë dollarë. Për më tepër,
strategjia ekzistuese përfundon në qershor të vitit 2023, ndërsa përgatitjet për
strategjinë e re do të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm, menjëherë pas përfundimit
të raportit për vendin.