Besarta Jashari ua dhuron kongresistëve amerikanë librin për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

Besarta Jashari, vajza e heroit Hamëz Jashari, e mbijetuara e vetme e ofenzivës serbe në Prekaz të Skenderajt, ka dhënë detaje për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në Kongresin Amerikan.

Ajo përveç takimit që pati me kongresistin Colin Allred, për të cilin edhe klankosova.tv, raportoi më parë, bën të ditur se të pranishmëve, iu ka dhuruar librin “NEVER FORGET! – The Serbian Genocide on Albanians 1844-1999″ të autorëve Prof.Dr.Nusret Pllana dhe MSc.Agim Aliçkaj.

”Në kuadër të vizitës time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot kisha kënaqësinë të vizitoj Kongresin Amerikan.

E nderuar, takova kongresmenë që e njihnin Kosovën dhe në mënyrë aktive kontribojnë për Kosovën. Së bashku me Vasfijen, Verën dhe Kadiren mes tjerash takuam Kongresmenin Collin Allred, i cili përpos vlerësimit të lartë për punën e grave në Kosovë – premtoj që do të angazhohet për sigurimin e një rezolute i cili do të mundësoj hetimin e krimeve dhe dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe mbi civilët në Kosovë.

Për krimet serbe në shekullin e kaluar – ne nuk do të heshtim, që kjo histori kurrë mos të përsëritet.

Shfrytëzova mundësinë që kongresistëve të ju dhuroj librin “NEVER FORGET! – The Serbian Genocide on Albanians 1844-1999″ të autorëve Prof.Dr.Nusret Pllana dhe MSc.Agim Aliçkaj.

Krahas kësaj, asnjëherë nuk do të reshtim së kujtuari heroizmin dhe lavdinë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – si frymëzim për atëdhedashurinë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe SHBA-të”.