Besar Durmishi u zgjodh kryetar i Këshillit të komunës së Tetovës

Përbërja e këshillit të ri komunal në komunën e Tetovës zgjodhi me shumicë votash Besar Durmishin për kryetar të këtij këshilli.

Durmishi është bartës i listës së këshilltarëve të Lëvizjes BESA, i cili ka kryer këtë detyrë edhe në mandatin e kaluar, si dhe ishte bartësi i listës së fitores së kësaj partie në zgjedhjet e fundit lokale për këshillin komunal, përcjell INA.

Për zgjedhjen e tij votuan 16 këshilltarë, asnjë kundër dhe 14 këshilltarë votuan të përmbajtur.
Durmishi menjëherë pas zgjedhjes në krye të këshillit mori edhe drejtimin e seancës, duke faleminderuar të gjithë mbështetësit e tij dhe ata që e përkrahën me vota, por duke u zotuar për vazhdimin e misionit për zhvillimin e Tetovës.

“Ky pozicion është më shumë përgjegjësi se privilegj. Konsideroj që ky këshill pa dallime të jetë konstruktiv për të bërë punë të mira për qytetarët, për të materializuar votën e dhënë nga qytetarët”, deklaroi Durmishi. (INA)