BESA: Kovaçevski dhe Grubi shpenzojë paratë e qytetarëve për ahengje

Derisa qytetarët zhyten në varfëri, pushteti vazhdon të shpenzojë para të qytetarëve për ahengje, deklarojnë nga Lëvizja Besa. Hasim Murtezani nga Lëvizja Besa tha se pushteti i njohur si pushtet i keqpërdorimeve dhe korrupsionit vazhdon të shpenzojë para të qytetarëve për “ahengje”, derisa qytetarët zhyten në varfëri dhe braktisin vendin. Ai ka  akuzuar zëvendës kryeministrin Artan Grubi dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski se po organizojnë festa me para të popullit.

HASIM MURTEZANI NGA LËVIZJA BESA

“Mbi 500 mijë euro, Qeveria e Dimitar Kovaçevskit dhe Artan Grubit do të shpenzojnë për manifestimet shtetërore të cilat mund të organizohen për shumë më pakë para dhe në mënyrë simbolike. Fakti që këto para do të menaxhohen vetëm nga dy produksione, të cilat vazhdimisht janë pjesë e tenderëve shtetërorë, ngjall dyshime për keqpërdorim të parave. Imagjinoni mbi 100 mijë euro do të shpenzohen për shënimin e Marrëveshjes së Ohri, marrëveshje kjo e cila kurrë nuk u zbatua deri në fund, por vetëm u devalvua dhe u keqpërdor”.

Ai më tej thotë se në vend që Marrëveshja e Ohrit të ishte përmbushur dhe të ishte zgjidhur statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së, të hiqej 20% nga Kushtetuta për gjuhën shqipe, gjuha shqipe të gjente zbatim të plotë në institucione dhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar denjësisht në institucione, kjo marrëveshje u keqpërdor nga BDI vetëm për pikë politike dhe për përfitime të atyre që janë në pushtet.