Bërns: Të gjitha vendet kanë nevojë për qasje në vaksinat për të ndaluar pandeminë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë Maqedoninë e Veriut për arritjen me sukses të 24.000 dozave të vaksinës AstraZeneca. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit këto vaksina i priti ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili paralajmëroi se do të fillojë edhe imunizimi masiv i popullatës.

Me këtë rast, Ambasadorja e SHBA-ve në vend Kate Marie Byrnes tha se këto vaksina janë doza shprese.

“Jam e kënaqur që këto vaksina, këto doza shprese, të financuara nga qeveria juaj, kanë arritur përmes COVAX-it sot,” tha Ambasadorja e SHBA-së Kate Marie Byrnes.

“Të gjitha vendet kanë nevojë për qasje në vaksinat Covid-19 për të ndaluar pandeminë. Përhapja e shpejtë e Covid-19 ka demonstruar se asnjë komb nuk mund të veprojë i vetëm kundër një sfide globale”.

Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me këtë vend gjatë kohëzgjatjes së pandemisë për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të përforcuar reagimin ndaj Covid-19. Me ndihmën e SHBA-së janë mbështetur veprimet urgjente të Ministrisë së Shëndetësisë për të zvogëluar përhapjen e virusit dhe për të përgatitur sistemin shëndetësor të vendit dhe komunitetet, për të zbutur ndikimin e Covid-19, dhe për të vlerësuar rëndësinë dhe mundësinë e informacioneve të sakta dhe në kohë në lidhje me pandeminë.

Në nivel global, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë nje shumë prej 2 miliardë dollarësh – nga gjithsej 4 miliardë dollarë të planifikuar – Gavi-t, Aleanca e Vaksinave, për të mbështetur COVAX, duke e bërë SHBA-në kontribuesin më të madh e të vetëm në qasjen globale të vaksinave Covid-19, thuhet në kumtesën e USAID.