Pas miratimit të IBAR-it nga partnerët evropianë, Gjermania ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Shqipërinë në procesin e reformës në drejtësi dhe integrimit evropian, gjatë një sërë takimesh në Berlin të zhvilluara nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Në takimet me Ministrin e Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum dhe Sekretaren Parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë, Annette Kramme, u theksua se miratimi i IBAR-it shënon jo fundin e procesit, por kalimin në një fazë më kërkuese të reformës.
Sipas deklarimeve të Ministrit Gogu, IBAR-i përbën një moment kalimtar që e çon reformën nga ndërtimi institucional në matjen e rezultateve konkrete në sistemin e drejtësisë.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik në këtë rrugëtim”, u shpreh ai, duke nënvizuar se mbështetja ndërkombëtare është e lidhur me rezultate të verifikueshme.
Nga ana e tij, Krichbaum theksoi se mbështetja gjermane për Shqipërinë mbetet e fortë, por e kushtëzuar nga përparimi në fusha kyçe si pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë.
Prioritetet e fazës së re
Ministria e Drejtësisë ka identifikuar tre prioritete kryesore për fazën aktuale: akses më i gjerë në drejtësi, rritje e efiçencës së sistemit gjyqësor, forcim i të drejtave procedurale.
Këto prioritete, sipas palës shqiptare, janë të lidhura drejtpërdrejt me gjetjet e IBAR-it dhe me kërkesat e Kapitullit 23 të negociatave me BE.
Si shembull i kalimit nga reforma strukturore në rezultate konkrete, u përmend ulja e stokut të çështjeve të pazgjidhura në Gjykatën e Lartë, që autoritetet e konsiderojnë tregues të përmirësimit të administrimit gjyqësor.
Takimi me Annette Kramme u fokusua gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit juridik bilateral, përmes Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), i cili prej më shumë se dy dekadash mbështet institucionet shqiptare.
Diskutimet aktuale, sipas palëve, po zhvendosen nga asistenca për reforma drejt mbështetjes për mbylljen e kapitujve të negociatave, me fokus te digjitalizimi i drejtësisë dhe rritja e kapaciteteve institucionale.
Faza e ardhshme e procesit pritet të përqendrohet në mbylljen e objektivave të Kapitullit 23, që lidhen me sistemin gjyqësor, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Vizita e delegacionit shqiptar në Berlin pritet të vijojë edhe me takime të tjera në Bundestag.



