Berberi nga Velesi dhe vajza nga Shkupi dyshohet se janë v’arë nga persona të njëjtë, autoritetet tregojnë motivin

Të njëjtit persona që dyshohen për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorqevska nga Shkupi, dyshohen edhe për vrasjen e berberit 74-vjeçar nga Velesi, Pançe Zhezhovski.

“Prokurorët publikë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe nga Prokuroria Themelore Publike Veles kanë kryer kontroll në dy lokacionet ku janë gjetur trupat e të zhdukurve. Janë dhënë urdhra për autopsi në trupat e viktimave dhe për identifikimin e duhur. Gjithashtu janë lëshuar urdhra për mbledhjen dhe ekspertizën e të gjitha gjurmëve dhe provave nga të dyja lokacionet”, thonë nga Prokuroria.

Vanja u raportua si e zhdukur ditën e hënë (27 nëntor), ndërsa Pançe të mërkurën e kaluar, (22 nëntor). Janë të dyshuar 5 persona, njëri prej të cilëve është jashtë shtetit.

“Janë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në zonat e SPB-Shkup, SPB-Veles dhe SPB-Shtip, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar telefona celularë, kompjuterë, vetura etj. Janë zhvilluar biseda të shumta me familjarë, të njohur, miq dhe personat që do të mund të kishin ndonjë informacion”, thonë nga MPB.

Sipas njoftimit të Prokurorisë dhe MPB-së, Vanja është vrarë ditën kur edhe është kidnapuar.

“Nga masat operative të zbatuara është konstatuar se e mitura V.GJ. është marrë me veturë nga hyrja e vendbanimi dhe nga të dhënat e marra nga bisedat zyrtare se ajo është vrarë të njëjtën ditë (27.11.2023), rreth orës 10:00”, thonë nga MPB.

Motivi dyshohet të jetë “përfitim interesi” (lakmi materiale). Nga MPB shtojnë se personat e dyshuar për veprën janë të nacionalitetit maqedonas.

“Në të njëjtën kohë, përkundër spekulimeve dhe dezinformatave sipas të cilave ky rast ka prapavijë etnike, ju njoftojmë se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase”, shtojnë nga MPB.