Bellingham ua kujton Cristiano Ronaldon tifozëve të Realit, anglezi me statistika njësoj si CR7

Jude Bellingham është njeriu i momentit te Real Madridi me golat dhe asistimet e tij.

Los Blancos kanë paguar 103 milionë euro për transferimin e tij nga Borussia Dortmund dhe duket se anglezi po i shpaguan për mrekulli këto para.

Në tre ndeshjet e para, anglezi i ka dhuruar Realit pikët maksimale duke realizuar katër gola dhe duke asistuar në një tjetër në gjashtë në total që i kanë realizuar madrilenët.

Me katër gola në tre ndeshje, Bellingham ka filluar t’ia kujtojë tifozëve të Realit yllin portugez Cristiano Ronaldon.

Së bashku me portugezin, Bellingham bëhet lojtari i dytë në historinë e Real Madrid që shënon në tre ndeshjet e para me skuadrën kryeqytetase.

Interesant është fakti se ashtu si Ronaldo, edhe Bellingham ka shënuar katër gola. Britaniku është kthyer menjëherë në idhull për tifozerinë madrilene dhe aftësitë e tij në zonë, e bëjnë edhe më tërheqës.

Paraqitjet e mira të 20-vjeçarit kanë bërë që Carlo Ancelotti të thotë se ai është zëvendësuesi i Karim Benzemas te Reali.