Bekteshi: Disa komuna keqpërdorin energjinë elektrike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në forumin e organizuar për “100 ditëshin” e qeverisë potencoi se ka palë destruktive që dëshirojnë në mënyrë artificiale ta thellojnë krizën ekonomike. Bekteshi tha se disa komuna në kundërshtim me ligjin për energjetikë dhe ligjet tjera krijojnë ndërmarrje publike ku ndriçimi publik dhe objekteve të tjera që janë në treg të lirë i redestinojnë në tregun e rregulluar.

“Dua të theksoj edhe një çështje shumë të rëndësishme, duke pasur parasysh se përballja me krizën energjetike ndonëse është e importuar në Maqedoninë e Veriut gjithmonë ka palë destruktive që dëshirojnë në mënyrë artificiale ta thellojnë këtë krizë. Kemi raste kur ditëve të fundit disa komuna në kundërshtim me Ligjin për energjetikë dhe ligjet tjera, duke mos mundur të menaxhojnë komunat, krijojnë ndërmarrje publike, ku ndriçimi publik dhe objekteve të tjera që janë në treg të lirë i ridestinojnë në tregun e rregulluar. Kjo do të thotë se nga janari deri në fund të qershorit komunat duan të krijojnë një problem artificial në rregullimin e çmimit qo do të jetë mbi kurrizin e qytetarëve, konkretisht mbi amvisëritë që janë në tregun e rregulluar. Flasim për shpenzime për mbi 50 milionë euro që ata e krijojnë në këtë mënyrë për të krijuar një krizë të këtillë. Kjo do të thotë shpenzime të mëdha për familjet tona, për amvisëritë, për qytetarët tanë. Por gjithsesi jemi të përgatitur dhe këtë nuk do ta lejojmë”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi mes tjerash potencoi se modeli i modeli i ri i tarifave për përcaktimin e çmimeve do të përcaktojë bllok të ri ku sipas ministrit do të mbrohen kategoritë me rrezik social, gjegjësisht këto kategori do të paguajnë çmim më të ulët.

“Ndërsa ata të cilët përpiqen të keqpërdorin sistemin dhe në atë mënyrë të përfitojnë dhe kjo krejt të shkoj në kurriz të qytetarëve dhe mbi standardin e tyre nuk do ta lejojmë. Dhe veç kësaj ata që janë të interesuar do t’i lejojmë të prodhojnë energji”, tha mes tjerash Bekteshi.