Bekim Sali: Në Çair akoma ka shtëpi me gropa septike, ndryshimi vjen pas 17 tetorit (Video)

Kandidati i koalicionit AAA-ASH për Çairin, Bekim Sali, thotë se banorët e kësaj komune përballen me mungesën e nevojave elementare për jetë. Në një intervistë për gazetën LAJM, ai ka thënë se dje ka vizituar një lagje në të cilën, në shumë shtëpi përdoren akoma gropat septike për shkak të mungesës së rrjetit të kanalizimit.

“Për fat të keq duhet të flasim për nevojat elementare të një banori të Çairit. E dini që Çairi është në zonën e parë të qytetatit të Shkupit dhe trajtohet si qendër e urbanizuar e qytetit të Shkupit, por në fakt ne në Çair mund të flasim për gropa septike. Dje i kemi vizituar ato shtëpi edhe pse paraprakisht ne kemi pasur informacione dhe vizita në këto lagje. Por, dje brenda fushatës edhe i kemi vizituar dhe dokumentuar këto shtëpi. Këto gjenden në largësi ajrore as një kilometër prej qendrës së Shkupit. Paramendo keni shtëpi të cilat shërbehen me gropa septike dhe pastrimin e tyre e bëjnë privatisht që është edhe një ngarkesë. Ata akoma nuk kanë hasur në vesh që i dëgjon dhe në dikë që ua zgjidh problemin”, tha Bekim Sali

Ai u shpreh i sigurt se kjo gjendje do të ndryshojë pas 17 tetorit.

“Jam shumë optimist se kësaj radhe misioni jonë për të bërë ndryshim në Çair do të realiziohet. Këtë e vërejmë gjatë komunikimit tonë të përditshëm me banorët e Çairit. Optimizmi ditë e më shumë shtohet, ashtu siç zhvillohet fushata se, më 17 tetor do ta kemi edhe gëzimin më të madh të banorëve të kësaj komune. E dini çdo banorë i Çairi, një për qindje shumë e madhe e ndjen vetën peng i mbajtjes së kontrollit nga a e një structure partiake që e ka uzurpuar komunën e Çairit dhe e trajton atë si të jetë pronë e tyre”, tha Sali

Lidhur me rrjedhën e fushatës, ai tha se të shtënat me armë gjatë hapjes së një shtabi partiak kanë shqetësuar banorët dhe votuesit e Çairit.

“Fushata kalonë shumë mirë. Ne jemi duke realizuar agjendën tonë, ashtu siç e kemi paraparë, nuk ndryshim në agjendë. Gjithçka është në rregull. Kishte paralajmërime për kërcënime, në një formë, ashtu e kanë marrë edhe banorët e Çairit, por edhe vlerësimet e ekspertëve janë të atilla, se hapja e shtabit me të shtëna armësh do të thotë se është një paralajmërim për incidente të mundshme. Të gjitha këto raste i kemi paraqitur në institucionet përkatëse. Shpresojmë që këto zgjedhje do të jenë fer, demokratike dhe të qeta”, u shpreh Bekim Sali për gazetën LAJM.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.