BE-ja, në dilemë për rihapjen e kufijve

Evropa është para një dileme; a t’i hapë kufijtë gjatë muajve të verës. Vendet e Bashkimit Evropian po paralajmërohen nga Parisi zyrtar që t’i mbajnë kufijtë të mbyllura deri në shtator. Deri tani në Francë ka mbi 130,000 raste të konfirmuara me virus korona dhe mbi 14,000 vdekje. Një lëvizje e tillë mund të prekë në mënyrë të veçantë pushuesit britanikë, që masivisht mësyjnë bregdetin francez gjatë verës.

“Do t’i këshilloja të gjithë të mos bëjnë plane për pushime”, është shprehur Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lajen për gazetën Bild, duke iu referuar udhëtimeve në Evropë. Ajo shton se “Për momentin, askush nuk bën dot parashikime të sakta për muajt korrik dhe gusht”.

Në Spanjë, mësohet se 517 persona kanë humbur jetën duke e çuar numrin total në 17,489. Përsa i përket numri të të prekurve, shifra totale ka shkuar në 169,496. Të dhënat gjithashtu treguan se raste e konfirmuara u rritën me 3,477, por kjo ishte shifra më e ulët ditore që nga 20 marsi. Ajo vjen në një kohë kur Spanja filloi rihapjen e pjesëve të ekonomisë së saj me punëtorët e ndërtimit dhe të prodhimit.

Situata përjetohet në mënyra të ndryshme brenda kontinentit aziatik. Shumë banorë të Hong Kongut iu drejtuan plazheve gjatë fundjavës së Pashkëve. Të dielën atje u raportuan vetëm 4 infektime, shifra më e ulët kjo që nga mesi i marsit. Autoritetet i kanë paralajmëruar njerëzit të mos e ulin nivelin e kujdesit, sepse presin një tjetër valë infektimesh. Ndërkohë në Singapor, ku ka pasur një shtim të ri të beftë të numrit të infektimeve mes komunitetit të punëtorëve emigrantë.

Në SHBA si pasojë e infektimit ka ndërruar jetë 70-vjeçari Stenli Çera, një nga njerëzit më të shquar sa u takon pasurive të patundshme në Nju Jork Siti. Çera njihej po kështu në mbarë opinionin publik si miku i Presidentit Donald Tramp. Dy javë më parë, Tramp tha se vendi do të rifillonte aktivitetin e plotë pas Pashkëve, por kurba e lartë e pandemisë bëri që ai të miratonte një politikë më të kujdesshme. SHBA është vendi më i prekur në botë nga Covid-19 me mbi 22 mijë viktima dhe mbi 560,mijë të infektuar.

Rusia ka regjistruar shifrën më të lartë ditore të të infektuarve. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar mbi 2 mijë raste të reja kurse numri i përgjithshëm i të infektuarve kalon 18 mijë kurse numri i viktimave është 148.

Në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i të prekurve nga CoVid-19 ka shkuar në 467. 21 raste të reja janë shënuar vetëm në 24 orët e fundit, nga të cilët 1 personel shëndetësor dhe dy fëmijë asimptomatikë.