BDI: Rritëm pensionet, pagën minimale dhe mesatare

Partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese dërguar në media, është deklaruar pas vendimit të djeshëm që u mor në Qeveri me të cilin parashihet që me model zviceran të rriten pensionet në Maqedoninë e Veriut, transmeton TV21.

Nga BDI thonë se “rritëm pensionet, pagën minimale dhe mesatare”.

Kumtesa e plotë e BDI-së:

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të mbetet e përkushtuar me të gjitha kapacitetet e saj kadrovike dhe programore  në shërbim të mirëqenies ekonomike të qytetarëve dhe përmirësimit të standardit jetësor në kohë të ballafaqimit me krizën globale dhe energjetike.

Pas rritjes së pagës minimale në 18.000 denarë dhe të pagës mesatare në 29.943 denarë, trendin e përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve e vazhdojmë me rritjen rekorde edhe të pensioneve të gjithsej 326.841 pensionistëve në vend.

Në takimin me përfaqësuesit e shoqatave të pensionistëve dakorduam metodologjinë e re të rritjes së pensioneve, e cila parasheh që nga Shtatori i këtij viti pensionistët të kenë mesatarisht deri në 900 denarë shtesë çdo muaj në pensionet e tyre.

Përveç zbatimit të kësaj mase ekonomike që mundëson harmonizimin adekuat të pensioneve konform rritjes së pagës minimale dhe shpenzimeve për jetesë, u angazhuam dhe mundësuam që në muajt Mars, Prill dhe Maj pensionistëve t’ju sigurohet edhe një ndihmë direkte financiare prej 1.000 denarëve në muajt e lartëpërmendur.

Përllogaritjet statistikore parashikojnë që gjatë vitit 2022 në buxhetin e pensionistëve do të inkasohen 12.000 denarë më shumë se në vitin 2021.

Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesë e Qeverisë do të vazhdojë edhe më tej angazhimin për implementimin e masave ekonomike të jetës cilësore dhe mbrojtjen e buxhetit familjar të qytetarëve.