BDI që nëntë vite premton ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren (VIDEO)

Nga viti 2011, në çdo cikël zgjedhor, qofshin ato zgjedhje lokale apo parlamentare, Bashkimi Demokratik për Integrim, për nëntë vite me radhë premton ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Edhe në këto zgjedhje kandidati kandidati i BDI-së, për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore, në një video promovuese ka premtuar përsëri këtë projekt, madje ka numëruar edhe përfitimet të cilat do ti sillte kjo rrugë nëse do të ndërtohej ndonjë herë.

Bajram Rexhepi, kandidat për deputet

“Ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren është një projekt kapital i një rëndësie jetike jo vetëm për rajonin e Pollogut, por për të gjithë vendin. Realizimi i këtij projekti ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të zonës, do lehtësojë shkëmbimin tregtar midis dy vendeve, do ju mundësojë një qasje më të lehtë deri te Rruga e Kombit, do ndihmojë në zhvillimin e turizmit në Kodrën e Diellit, por edhe shumë dobi të tjera”.

Sot BDI ka zhdukur nga faqja zyrtare dhe rrjetet sociale të gjitha programet parazgjedhore nga të gjitha zgjedhjet e kaluara. Televizioni Shenja ka siguruar një kopje elektronike të programit të vitit 2011, ku poashtu në mënyrë decide edhe para nëntë viteve ishte premtuar rruga Tetovë-Prizren.

Programi i BDI-së 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

Ky projekt ishte edhe një nga premtimet e kryetares aktuale të Komunës së Tetovës që në vitin 2013, gjegqësisht, që në vitin e parë të marrjes së mandatit për udhëheqjen e kësaj komune”.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës (13.05.2013)

“Për ne është një prioritet i madh si komunë e Tetovës dhe gjithçka që mundemi si komunë, në lobimin për përfundimin me sukses të projektit, në lobimin për tërheqjen e mjeteve, por edhe ndërkombëtare, për realizime këtij projekti, gjithsesi që ne do angazhohemi maksimalisht për arsye se vlerësojmë se kjo është praktikisht një rrugë strategjike, për raportin ndërmjet dy shteteve dhe jo vetëm dy komunave”.

Por jo vetëm në vitin 2011 dhe 2013. Rruga Tetovë-Prizren është premtuar nga BDI dhe eksponentët e saj edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe tani në zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 15 korrik. Përveç rrugës Tetovë-Prizren, BDI ka edhe shumë projekte të tjera të cilat i ka bartur nga programet e zgjedhjeve të kaluara në programin e zgjedhjeve aktuale parlamentare e të cilat ishin premtuar disa herë, por nuk arritën ti realizojnë deri më tani.

/SHENJA/