BDI prezanton përbetimin e parë: Referendum në komunat tona

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot ka prezantuar një nga pesë përbetimet e Programit zgjedhor, atë të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Agim Nuhiu nga BDI në konferencën e sotme për shtyp ka theksuar se politika e përditshme nënkupton marrje të vendimeve të shpeshta dhe të rëndësishme të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ardhmen e tyre.

Sipas tij, të gjithë kryetarët e komunave obligohen të organizojnë referendum për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe të respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve. Nuhiu mes tjerash potencoi se në listat e BDI-së për këshilltarë komunal ka edhe personalitete nga Sektori civil.

Në vazhdim fjalimi integral:

“Zgjidh jetë dhe Voto Blertë”- është sllogani i Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Dje, prezantuam slloganin, ndërsa sot para Jush prezantojmë njërën nga pesë shtyllat e Programit Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Agjendën e përfshirjesë së qytetarëve në vendimmarrje.

Si parti e fjalës së dhënë dhe e veprës së realizuar, Bashkimi Demokratik për Integrim është dakorduam me të gjithë kandidatët për kryetar komunash t’i përmbahemi pesë përbetimeve:

-Agjendës së Blertë

-Agjendës Dixhitale

-Agjendës së Përfshirjes së qytetarëve

-Agjenda e derës së hapur dhe

-Agjenda Zero Tolerancë

Politika e përditshme nënkupton marrje të vendimeve të shpeshta dhe të rëndësishme të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ardhmen e tyre.

Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje nënkupton që vendimet e mëdha nuk do të merren nga rrethi i ngushtë drejtues i komunës, por nga JU, qytetarët.

Zëri i qytetarëve do të jetë më i fuqishëm. Të gjithë kryetarët e komunave tona obligohen të organizojnë referendum për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe të respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve.

Për të realizuar këtë, Bashkimi Demokratik për Integrim në këtë mandat të ri i ka zgjatur dorën dhe ka bërë partner Shoqërinë civile. Personalitete të shumta nga shoqëria civile janë pjesë e Listave për këshilltarë për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 Tetor.

Bashkimi Demokratik për Integrim javë më parë shpalli konkurs publik për këshilltarë në komunën e Gostivarit, në të cilin interesimi i qytetarëve ishte jashtëzakonisht i madh duke bërë kështu përzgjedhjen më të mirë për qytetarët e Gostivarit. Shumica dërmuese e kandidatëve nga shoqëria civile tani më janë pjes e listës për këshilltarë.

Në të gjithë degët, Bashkimi Demokratik për Integrim ka përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile në listat për këshilltarë komunal, me të vetmin qëllim që kontributi të jetë sa më i madh përmes vendim-marrjeve të përbashkët, për një standard të ri në nivel lokal.