Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka shkuar në Bruksel për t’u takuar me zyrtar të Bashkimit Europian dhe për t’i informuar për ato që integristët i cilësojnë shqetësuese për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut – ndërprerja e rrugës drejt BE-së, përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe cenimin e parimeve themelore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Për të ngritur dy çështjet kryesore nga Maqedonia e Veriut, që janë zhgënjyese për të ardhmen e vendit. Prishja e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe ndërprerja e rrugës europiane, dy tema këto që janë themeli i mirëqenies dhe të ardhmes së sigurt që qytetarëve dhe shpresoj se kjo do të ngre alarmin dhe fokusin e Bashkimit Europian për t’i ndërprerë këto dinamika”, tha Bujar Osmani.
Në një deklaratë për TV21, ish-ministri i jashtëm Osmani, tregoi se gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit të tij në kryeqytetin e BE-së do të flasë me përfaqësues të Komisionit Europian, përgjegjës për zgjerimin e unionit por edhe europdeputetë.
“Jam në Bruksel për takime të nivelit të lartë në Komisionin Europian, me drejtorin për zgjerim, me kabinetin e Marta Kos, shërbimin e politikës së jashtme të BE-së, si dhe një numër të eurodeputetëve nga grupe të ndryshme parlamentare në Parlamentin Europian”, deklaroi Osmani.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, pasi për të vazhduar para duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Opozitarja Fronti Evropian ka nisur një iniciativë parlamentare për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese me qëllim zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit, duke bërë thirrje deputetëve që të mbështesin rrugën eurointegruese të vendit. Duke e komentuar këtë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se BDI duhet të punojë për problemet që ka me kuadrin dhe programin në parti, ndërsa shtoi se çështjet shtetërore, i zgjidh qeveria.



