“BDI më tepër frikohet nga vota e diasporës shqiptare se nga koronavirusi”

Burime partiake brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të afërta me “krahun ushtarak”, thonë se partia e tyre është e gatshme për zgjedhje në çdo moment, me përjashtim të periudhës kur diaspora shqiptare do të kthehet në vendlindje.
“Frika në partinë tonë nga vota e diasporës nuk është zhdukur ende. Mund të ju them lirisht se udhëheqësia jonë partiake më tepër frikohet nga vota e diasporës shqiptare se nga koronavirusi. Për këtë arsye, sa kam informacione, kryetari Ahmeti ka filluar biseda të fshehta edhe me LSDM-në edhe me VMRO-DPMNE-në për t’i bindur që zgjedhjet të mbahen para 15 korrikut, ose pas 15 gushtit, sepse në bazë të vlerësimeve pjesa më e madhe e diasporës në këtë kohë do të gjendet këtu në vendlindje. Atëherë do të hiqen të gjitha kufizimet për hyrje dalje në kufi pa teste e pa protokolle tjera”, thonë këto burime që pranojnë se janë të pakënaqur nga politika aktuale e BDI-së ku krahu ushtarak “edhe pse më meritori” është përjashtuar nga vendimmarrja.

Pikërisht për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësojnë se data 26 është më e përshtatshme për qytetarët. “Për Aleancën, datë e pranueshme për zgjedhje është fundi i korrikut ose fillimi i gushtit. Këtë vit rrallë dikush do të shkojë jashtë vendit në pushime, madje edhe vendet turistike do të jenë të kufizuara me numra. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje të përbashkët, pasi propozimi i LSDM-së nuk është korrekt, sepse Bashkimi Evropian pas 15 qershorit i hap kufijtë. Kjo nuk do të jetë korrekt ndaj qytetarëve, të cilët punojnë në vendet e huaja dhe nuk do të mund të vijnë të votojnë”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Aleancës Arben Taravari.

“Zgjedhje që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, zgjedhje me të cilat fitojnë legjitimitet institucionet, zgjedhje për stabilitetin e vendit. Besojë e ajo duhet të jetë psiqikisht e përgatitur – tha Arben Llabënishti, Alternativa.
Edhe Lëvizja Besa kërkon zgjedhje në përputhje me kushtet klimatike. “Ne e dimë se nga mesi i korrikut deri në fund të gushtit është kulmi i temperaturave më të larta në vend”, u shpreh Binas Pajaziti nga Lëvizja Besa.
PDSH kërkon të respektohet afati kushtetues dhe zgjedhjet të mbahen më 21 qershor.