BDI ka në konto një milion euro, LSDM dhe VMRO më pak (Dokumente)

Tri partitë më të mëdha, LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura në vlerë të përgjithshme prej 5.3 milionë euro. Sipas raporteve më të reja financiare, të publikuara nga Enti Shtetëror për Revizion, tri partitë së bashku kanë harxhuar 3.8 milionë euro, që do të thotë se vitin e kanë mbyllur me bilanc pozitiv.
LSDM-ja qeveritare në vitin 2020 ka realizuar të ardhura në vlerë prej 129,3 milionë denarëve, kurse ka harxhuar 112,5 milionë denarë. Kjo parti e ka mbyllur vitin me bilanc pozitiv në vlerë prej 16.8 milionë denarëve, transmeton gazeta Lajm. LSDM ka transferuar në vitin 2020 mjete të paharxhuara në vitin 22019 në vlerë prej 26,7 milionë denarëve, kurse vitin e kaluar kanë grumbulluar mjete në vlerë prej 14,8 milionë denarëve në bazë të anëtarësisë, dhuratave dhe donacioneve. Megjithatë, pjesa më e madhe në vlerë prej 87,7 milionë denarëve janë evidentuar në paragrafin “të ndryshme”.
LSDM ka marë 52 milionë denarë nga buxheti shtetëror, kurse 30 milionë denarë ka siguruar me kredi bankare.
Nga ana tjetër, LSDM vitin e kaluar ka harxhuar 23,2 milionë denarë për reklama, propagandë dhe reprezentacion, kurse 17,8 milionë denarë janë harxhuar për rroga, që është për 5,4 milionë denarë më pak se në vitin 2019.
Sa i përket VMRO-DPMNE-së, kjo parti vitin e kaluar ka realizuar të ardhura në vlerë afër 114 milionë denarë, që është ëpr 10 milionë denarë më shumë se në vitin 2019. Janë rritur edhe harxhimet e kësaj partie, duke arritur vlerën 108,7 milionë denarë, raporton Fokus.

Pjesa më e madhe e të hyrave në VMRO-DPMNE janë realizuar përmes donacioneve, anëtarësisë, dhuratave dhe të ashtuquajturave “burime tjera” (transferta buxhetore, kredi,…).
Pjesa më e madhe parave janë shpenzuar për reklamë,propagandë dhe reprezentacion, për cka janë ndarë mbi 23 milionë denarë.

Në raportet financiare të kësaj partie mund të vërehet se në vitin 2019 ka pasur 12 të punësuar, kurse në vitin 2020, 14 të punësuar. Për rrogat e tyre janë harxhuar 7,5 milionë denarë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjatë vitit 2020 ka grumbuluar 77 milionë denarë, prej të cilave 44,5 milionë denarë janë transferuar si tepricë nga viti 2019. Gjatë vitit 2020 BDI ka harxhuar 15,5 milionë denarë, që do të thotë se në buxhetin e BDI-së vitin e kaluar kanë tepruar mbi 60 milionë denarë (një milion euro).
Siç transmeton gazeta Lajm, edhe BDI në vitin 2020 pjesën më të madhe të parave te shpenzuara, e dedikuar për reklamë dhe propagandë, kurse më pak për qera, rroga dhe harxhime tjera. Ajo që e dallon BDI-në nga partitë tjera është ndihma që ua kanë dhënë subjekteve tjera në vlerë prej 3 milionë denarëve.