BDI-ja mbështet Ixhet Memetin në Këshillin e Prokurorëve

Bashkimi Demokratik për Integrim, mbështet zgjedhjen e Ixhet Memetit si anëtar i Këshillit të Prokurorëve. Deputeti Arbër Ademi thotë se grupi parlamentar i BDI-së i jep përkrahje Memetit, si profesionist. “Duke pasur parasysh se Ixhet Memeti është i vetmi kandidat shqiptar i cili ka aplikuar, ka përvojën e duhur, përgatitjen e duhur dhe ne si grup parlamentar i BDI-së do ti japim mbështetje”, tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi. Por, opozita shqiptare shprehet e pakënaqur nga puna e Ixhet Memetit si Avokat i Popullit, i cili tanimë synon postin e anëtarit të këshillit të Prokurorëve. Deputeti i koalicionit ASH-AAA Halil Snopçe thotë se si kryetar i Komisionit anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ka marrë shumë shkresa nga qytetarët të cilët nuk kanë mundur të gjejnë drejtësinë edhe përmes zyrës së Avokatit të popullit. “Pse BDI e ka këtë qasje të zgjedhjes së njerëzve të vetë nëpër gjyqësi e gjykata të ndryshme, sepse e mbron vetveten, do të thotë ata e dinë se pas paraqitjes së skandaleve të tyre njerëzit e tyre, ministra, zv/ministra, njerëz partiak të emëruar në pozicione të tilla do ti mbrojnë e nuk ka perspektive, normalisht nuk ka edhe besueshmëri”, tha Halil Snopçe, deputet i koalicionit ASH-AAA.