Grubi: Një shtet mund të jetojë në unitet nëse qytetarët janë të barabartë në të drejtat e tyre

Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Shkup u mbajt një panel diskutimi me temë “Të drejtat e anëtarëve të komunitetit – situata, tendencat dhe sfidat”, organizuar nga Agjencia për realizimin e të drejtave të komuniteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ngjarje u adresua zv/kryeministri dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Artan Grubi, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, David Geer, si dhe eksperti italian, Alessandro Simoni.

Zv/kryeministri Grubi duke iu referuar të drejtave të anëtarëve të komunitetit në vend, tha se ai nuk i sheh njerëzit dhe të drejtat si statistika dhe se shifrat duhet të jenë një tregues se kjo shoqëri është multietnike dhe multifetare.

Duke kujtuar se Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është avancuar në një ministri, Grubi tha se me këtë të gjitha komunitetet do të jenë në gjendje të krijojnë së bashku politika.

“Për mua, shteti duhet të demonstrojë besnikëri ndaj qytetarit, ndaj komunitetit, në mënyrë që të pres besnikëri nga qytetari dhe anasjelltas nga komuniteti. Një shtet, një shoqëri, mund të jetojnë në unitet, por vetëm nëse qytetarët janë të barabartë në të drejtat e tyre, por edhe në përgjegjësitë e tyre ndaj shtetit”, tha Grubi.

Ministrja Carovska në fjalën e saj iu referuar rishikimeve të teksteve shkollore dhe përshtatjes së tyre me kohën dhe realitetin në shoqërinë në të cilën jetojmë.

Duke theksuar se koncepti i ri për arsimin fillor do të miratojë një ligj të ri për tekstet shkollore, Carovska njoftoi se Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka një thirrje për disa autorë që duhet të krijojnë materiale mësimore dhe që të drejtat e tyre të autorit të mbeten pronë e shtetit. Ajo po ashtu theksoi se rishikimi i atyre teksteve shkollore do të bëhet një herë në vit, me qëllim për të qenë të azhurnuara.

Carovska tha se aktualisht nuk është i mundur rishikimi i 600-700 librave shkollorë dhe shtoi se me ligjin e ri shteti do t’i ketë të drejtat e autorit dhe pastaj do të jetë në gjendje të rishikojë librat shkollorë nëse diçka nuk është në rregull.

BE-ja bashkëpunon me Agjencinë për realizimin e të drejtave të komunitetit

Euroambasadori Geer, nga ana e tij, tha se BE-ja po e mbështet këtë projekt dhe po bashkëpunon me Agjencinë për realizimin e të drejtave të komunitetit.

Geer kujtoi se të drejtat e njeriut janë themeli për drejtësinë dhe ruajtjen e paqes.

“Ministria e re e sistemit politik është përgjegjëse për strategjinë e një shoqërie, për gjithçka që u miratua në shtator të vitit 2019. Natyrisht kjo është një detyrë e madhe dhe ministria ka treguar se po zbaton në mënyrë aktive strategjinë dhe po bashkëpunon me të gjithë aktorët shtetërorë për të rritur kohezionin shoqëror”, tha Geer.

Eksperti italian, Alessandro Simoni, në panelin e diskutimit foli rreth rezultatit të projektit “Forcimi i demokracisë përmes promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të komunitetit”. Ai njoftoi se pjesa e parë e projektit ka të bëjë me dimensionin njerëzor, ndërsa pjesa e dytë me dimensionin profesional. Ai po ashtu njoftoi se qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve dhe ofrimi i mbështetjes për Agjencinë për realizimin e të drejtave të komuniteteve.

Sipas drejtorit të Agjencisë për realizimin e të drejtave të komuniteteve, Eran Kurtish, agjencia “duhet të jetë dhe do të jetë udhëheqësi i këtyre i proceseve ku përmes mekanizmave institucionalë do të jetë në gjendje të përmbushë nevojat e komuniteteve më të vogla”.