BDI: Gjendja me virusin COVID-19 kërkon përgjegjësi nga të gjithë ne dhe respektim të masave

Numri i personave të prekur nga COVID-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vendet e rajonit por edhe në mbarë Evropën ditëve të fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme si rezultat i valës së dytë të pandemisë gjatë stinës së vjeshtës.
Respektimi i protokolleve COVID-19, siç është mbajtja e maskës, ruajtja e distancës fizike dhe dezinfektimi përkatësisht mbajta e higjienës në përgjithësi është mbrojtja më efektive dhe më e mirë për shëndetin personal dhe atë publik.
Bashkimi Demokratik për Integrim u rekomandon qytetarëve që të mos lejojmë që sistemi ynë shëndetësor të mos jetë në gjendje të sigurojë kujdes për gjithsecilin që ka nevojë.
Respektimi i rreptë i masave, mbajtja e maskës, ruajtja e distancës dhe dezinfektimi i rregullt dhe higjiena në përgjithësi mbeten mënyra më e mirë për të parandaluar paralizimin e sistemit tonë shëndetësor.
Tashmë, Qeveria ka miratuar masa të reja që do të hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend, masa këto që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik.
Gjendja me valën e re të të prekurve nga COVID-19 është tejet e vështirë, gjithçka do të varet nga vet ne se sa shpejt do të mund të stabilizojmë këtë situatë që ka prekur jo vetëm vendin tonë por të gjithë botën. Faktor kyç do të jetë sjellja e qytetarëve dhe respektimi i të gjitha masave dhe protokolleve nga të gjithë se si do të përballojmë këtë gjendje me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19.
Me armikun e fshehur COVID-19 duhet të luftojmë të gjithë bashkë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të respektojnë rreptësishtë masat për mbrojtjen e shëndetit personal dhe publik, të mbajmë maska, të ruajmë distancën dhe të kujdesemi për dezinfektimin përkatësisht mbajtjen e higjienës në përgjithësi.