BDI fton ASH-në, Besën dhe VMRO-DPMNE-në që të votojnë pro ligjit për prokurori

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësim të thellë për qëndrimin refuzues të partisë opozitare Besa dhe ish partnerit në qeverisje ASH si dhe opozitës maqedonase VMRO- DPMNE, ndaj Ligjit për Prokurori të Përgjithshme.

Ajo me këtë rast fton këto tre partitë që të rikonsiderojnë qëndrimin e tyre kundër këtij ligji dhe të votojnë për.

“Ky ligj, bashkë me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve publik do të vulos datën për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian dhe asnjë parti nuk guxon të rrezikojë të ardhmen e sigurt të vendit dhe të qytetarëve. Të dy ligjet garantojnë edhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, zgjedhjen e prokurorëve me shumicë të dyfishtë si dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në prokurori”, thonë në qëndrimin për media nga BDI.

Përgjegjësia e partive politike, siç theksojnë, “është shumë e madhe dhe përkrahja e këtyre ligjeve nga të cilat varet e ardhmja jonë evropiane nuk guxon të jetë rast i oportunizmit të imtë partiak dhe antievropian”.

“Prioritet i BDI-së është drejtësia joselektive, vetingu, sundimi i mirëfilltë i ligjit, kthimi i besimit tek gjyqësori dhe prokuroria, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj dhe pa asnjë rezervë të vetme, BDI e përkrah këtë ligj si një përpjekje e radhës për t’i arritur të gjitha këto, por edhe për të hapur derën evropiane për vendin tonë”, theksojnë nga partia e Ahmetit, BDI.