BDI e dezorientuar, partia e vetme që përkrahjen e 12 deputetëve e konsideron si sabotazh!

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Ali Ahmeti u paraqit me premtimin se do ta bëjë “kryeministrin shqiptar”, në kohën kur parashkimet më optimiste të partisë së tij, ishin se do të fitojë maksimalisht 12 deputetë në zgjedhjet e 15 korrikut. Me pas thënë atë kohë dikush se BDI-ja i fiton 13 deputetë, portalet e afërta të kësaj partie, tërë ditën do ta rrotullonin nëpër rrjetet sociale. Madje, pa thënë fare, keqpërdornin e keqinterpretonin deklarata e komente, vetëm e vetëm të nxjerrin konstatim qoftë edhe të manipuluar, se BDI-ja do të fitojë 13 deputetë. Premtimet ishin se me 13 deputetë, kryeministri shqiptar do të ishte punë e sigurtë.

Duke pasur përvojën e hidhur nga e kaluara, kur jo rrallëherë BDI-ja dhe Ahmeti kishin dhënë premtime që kurrë nuk i kishin plotësuar, gazetarët dhe mediumet ia parashtronin të gjitha pyetjet e mundshme, për të mos i lënë hapësirë për manipulim, ose arsyetim pas zgjedhjeve që të heq dorë nga ideja që vetë e propozuan: A do ta merrni prej fillimit kryeministrin? A do të ketë mandat katërvjeçar? A do të jetë Naser Ziberi?… Pyetjet parashtroheshin pa fund, kurse përgjigja e Ahmetit ishte vetëm një: Do e bëjmë kryeministrin shqiptar!

Zgjedhjet kaluan, BDI-ja i mori 15 deputetë. Të gjithë e dimë se si i mori, por, megjithatë, zyrtarisht aq i ka. Opozita shqiptare e tejkaloi veten, la anash dyshimet e fuqishme për manipulim votash dhe i ofroi BDI-së edhe 12 deputetët e vetë, me të vetmin kusht, që Naser Ziberi të bëhet kryeministër dhe të realizohet ëndrra për kryeministrin e parë shqiptar. U bënë 27 deputetë “pro” ëndërrës së Ali Ahmetit. Mirëpo, prej kryeministrit asgjë. Situata ndryshoi plotësisht. BDI-ja u bë kundërshtarja më e madhe e kryeministrit shqiptar. Punën e parë që e bëri ishte fillimi i strategjisë për të krijuar terren se si të heqin dorë nga kërkesa e vetme, me të cilën dolën në zgjedhje.

Filluan të lëshojnë në opinion informata jozyrtare për opsione “2+2”, “1+3”, “3+1” “100 ditë”, e lloj-lloj opsione tjera. Të gjitha me një qëllim: të blihet kohë deri sa opinioni të “ftohet” nga ideja për kryeministrin. Në vend se të falënderojë opozitën për 12 deputetët për kryeministrin shqiptar, vetë BDI-ja në krye me Ali Ahmetin, filloi të minojë idenë për kryeministër shqiptar. Jashtë çdo logjike dhe matematike, përjetohet si sabotazh dhe dobësim i pozitave negociuese oferta e 12 deputetëve për të përkrahur kërkesën e tyre kryesore. Që do të thotë se këtu ka një të vërtetë tjetër – përkrahja e 12 deputetëve të Aleancës dhe Alternativës, është pengesë që BDI-së t’i shitet në opinion gënjeshtra që tentuan ta shesin – “ne për pak do e bënim kryeministrin shqiptar, por opozita na dëmtoi”!. Me mbështetjen blanko që i dhanë, Aleanca dhe Alternativa ia mbyllën gjitha mundësitë BDI-së që të shpifë dhe spekulojë. Kjo i ka hutuar dhe i ka dezorganizuar pa masë.