Kur edhe Maksim Dimitrievski, politikan që nuk arriti të ndërtojë peshë politike jashtë retorikës nacionaliste, guxon publikisht t’i disiplinojë përfaqësuesit më të lartë të VLEN‑it, atëherë problemi nuk është më te Dimitrievski. Problemi është te pafuqia dhe nënshtrimi i VLEN‑it. Ata janë bërë aq të dobët sa që secili në këtë Qeveri ndjen se mund t’u flasë me gjuhën e ultimatumit, pa frikësuar fare se do të marrë qoftë edhe ndonjë përgjigje, thuhet në kumtesën e BDI‑së.
“Ky nuk është herë i parë. Pikërisht Maksim Dimitrievski ishte ndër të parët që, në fillim të mandatit të kësaj Qeverie, imponuan praktikën e papranueshme që përfaqësuesit shqiptarë të mos e përdorin flamurin kombëtar shqiptar në takimet zyrtare. Sot, përfaqësuesit e VLEN‑it nuk guxojnë ta vendosin flamurin shqiptar as në tavolinën e tyre, megjithëse pikërisht Bashkimi Demokratik për Integrim e legalizoi dhe institucionalizoi me ligj përdorimin e flamurit kombëtar. Kjo është dallimi mes atyre që fitojnë të drejta dhe atyre që i dorëzojnë ato në heshtje”, thonë nga BDI.
“Tani, për 2 Gusht, Dimitrievski i drejtohet publikisht kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke e qortuar dhe disiplinuar sikur të ishte i nënshtruar politik i tij. E çfarë bën Afrim Gashi? Hesht. Si gjithmonë. I njëjti Afrim Gashi që nuk gjeti guxim ta mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, por u përpoq t’i arsyetojë ata që e kontestojnë. I njëjti që e mbrojti Stoilkovskin dhe nga dita në ditë e ndryshonte arsyetimin për fshehjen e video‑incizimeve, herë duke pretenduar se bëhej fjalë për të dhëna personale, herë se përgjegjësia ishte e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sjellje që dëshmon mungesë integriteti dhe guximi politik. Shqiptarëve nuk u duhen përfaqësues që e ulin kokën sa herë që qortohen nga partneri i koalicionit. Nuk u duhen njerëz që heshtin kur preket dinjiteti kombëtar dhe institucional. U duhen përfaqësues që i mbrojnë të drejtat e fituara, që flasin kur rrezikohet barazia dhe që nuk e shkëmbejnë dinjitetin për një karrige”, thonë nga partia.
Ata shtojnë se “mjaft është me politikën e servilitetit”.
“Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e kësaj shteti meritojnë përfaqësues me dinjitet, me guxim dhe me zë. Jo përfaqësues që presin të disiplinohen nga të tjerët, e pastaj heshtjen ta zgjedhin si formën e vetme të veprimit politik. Heshtja e VLEN‑it nuk është mençuri. Ajo është dorëzim”, thuhet në kumtesën e BDI‑së. përcjell Zhurnal.mk .





