Dy subjekte politike shqiptare, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) krahu u Taravarit, kanë reaguar lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke akuzuar për moszbatim të ligjit dhe përkeqësim të pozitës së shqiptarëve në administratë, transmeton Portalb.mk.
Nga njëra anë, BDI përmes një kumtese thekson se një deputet i VLEN-it, në përpjekje për të promovuar publikimin dygjuhësor të dokumenteve në Gazetën Zyrtare, në fakt ka zbuluar se institucionet nuk po e zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas tyre, publikimi në dy gjuhë nuk është çështje vullneti politik, por obligim ligjor.
“Postimi i djeshëm i vlen i cili tentoi të paraqesë si sukses publikimin dygjuhësor të dokumenteve në Gazetën Zyrtare, përfundoi si dëshmi publike e moszbatimit të ligjit nga institucionet që ata vetë i drejtojnë. Gazeta Zyrtare nuk vepron mbi bazë dëshire politike, as mbi bazë vullneti të momentit. Ajo ka obligim ligjor që shpalljet t’i publikojë në dy gjuhë, sipas rendit juridik në fuqi. Pra, deputeti i vlen-it, në përpjekje për t’u lavdëruar, në fakt promovoi zbatimin e një ligji që po e kontestojnë çdo ditë”, thonë nga BDI.
BDI vlerëson se vetë krahasimet e bëra nga deputeti dëshmojnë se shumë institucione nuk e respektojnë detyrimin për përdorimin e gjuhës shqipe. Ata theksojnë se problemi nuk qëndron te interpretimi i ligjit, por te moszbatimi i tij, duke kërkuar respektim të plotë dhe të menjëhershëm nga të gjitha institucionet shtetërore.
“Edhe më rëndë, me vetë krahasimin që bëri me institucionet tjera, pranoi publikisht se shumë institucione nuk e respektojnë detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo do të thotë se problemi nuk është interpretimi i ligjit. Problemi është moszbatimi i ligjit. Qeveria dhe Presidentja nuk mund të fshihen pas propagandës së deputetëve të tyre. Kur synimi është mashtrimi i opinionit, e vërteta del vetë në sipërfaqe. vlen e pranoi atë që qytetarët e shohin çdo ditë: shqipja po largohet nga institucionet përmes moszbatimit sistematik të ligjit. Kërkojmë respektim të plotë dhe të menjëhershëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga çdo institucion shtetëror, pa përjashtim”, thonë nga BDI.
Në anën tjetër, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me heqjen e gjuhës shqipe nga uebfaqja zyrtare e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. ASH e cilëson këtë veprim si të papranueshëm dhe si goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të shqiptarëve.
Sipas tyre, shqetësuese janë edhe raportimet për largime nga puna të shqiptarëve, mungesë përfaqësimi në punësime dhe presione ndaj të punësuarve. ASH kritikon edhe mosreagimin e përfaqësuesve shqiptarë në institucion, si dhe të VLEN-it, të cilin e konsideron përgjegjës politik për gjendjen aktuale.
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër heqjen e gjuhës shqipe nga uebfaqja zyrtare e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Ky është një veprim i papranueshëm dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të shqiptarëve. Edhe më shqetësuese janë raportimet për largime të shqiptarëve nga puna, mungesë përfaqësimi në punësime dhe presione ndaj të punësuarve shqiptarë. Po aq i papranueshëm është edhe mosreagimi e përfaqësuesve shqiptarë në këtë institucion, si dhe e VLEN-it, që sot mban përgjegjësi politike për këtë gjendje”, thonë nga ASH.
Aleanca kërkon rikthimin e menjëhershëm të gjuhës shqipe në uebfaqen e institucionit, ndërprerjen e çdo forme diskriminimi dhe transparencë të plotë në proceset e punësimit dhe avancimit.
“Kërkojmë rikthimin e menjëhershëm të gjuhës shqipe në uebfaqen zyrtare të institucionit, ndërprerjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe transparencë të plotë për largimet, punësimet dhe avancimet”, thuhet në reagim.
Të dyja partitë, mbeten në qëndrimin se gjuha shqipe po përballet me sfida serioze në institucionet shtetërore dhe kërkojnë masa urgjente për respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut periudhën e fundit janë aktualizuar çështjet etnike, nisur nga shfuqizimi i ‘Balancuesit’, kontestimi i Ligjit të gjuhëve, mohimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dygjuhësia e sistemit ‘Qyteti i Sigurt‘ dhe të tjera. Këto kanë hapur debat të gjerë në dhe përplasje të ashpra midis partive opozitare dhe atyre në pushtet.
Debati mbi statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore mbetet i hapur, ndërsa interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese vijojnë të nxisin reagime politike. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Gjykata Kushtetuese ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm, nëse do ta mbrojë pavarësinë e garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike apo do të lejojë cenimin e parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, përmes ndryshimeve ligjore te Ligji për pagat e prokurorëve publikë.
Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor 2025 nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve, ndërsa Kuvendi më 25 shkurt 2026, miratoi ligj të ri për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve, me të cilin sërish u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave.






