Bayerni futet në garë për transferimin e Khephren Thuram

Khephren Thuram do ta bëjë këtë verë hapin e madh në karrierë, duke u larguar nga Nice.

Mesfushori francez ka pasur një vit fantastik në Ligue 1 duke zgjuar interesimin e top klubeve evropiane.

Thuram këtë edicion ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare me Nicen, ku ka realizuar dy gola dhe ka asistuar në tetë të tjerë.

Dy skuadrat angleze, Liverpool dhe Newcastle United janë në garë për t’i fituar shërbimet e tij, por garës i është shtuar edhe një top klub evropian.

Mediat gjermane kanë raportuar se Bayern Munich së fundmi është futur në garë për lojtarin, teksa ka filluar bisedimet me Nicen.

22-vjeçari është i interesuar të largohet nga Nice për të bërë hapin e madh në karrierë, pasi dëshira e tij është të luaj në Ligën e Kampionëve.

Bavarezët duan transferimin e tij, por problemi më i madh qëndron te çmimi i lojtarit pasi Nice e vlerëson 70 milionë euro.