Pasi Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që procedura për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”, në opinion kanë lindur dilema nëse ky ligj duhet të miratohet me ‘Badenter të vogël’ apo ‘Badenter të madh’. Profesori universitar i juridikut Bashkim Selmani për Portalb.mk thotë se në këtë rast duhet të përdoret ‘Badenteri i madh’ pasi përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen.
Badenteri (parimi i Badinterit) është mekanizëm kushtetues në Maqedoninë e Veriut që garanton të drejtat e bashkësive etnike joshumicë. Për të kaluar ligje me rëndësi të veçantë (kultura, gjuha, përdorimi i simboleve, etj.), përveç shumicës së përgjithshme, kërkohet edhe shumica e votave të deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.
- ‘Badenteri i madh’ i njohur edhe si ‘Badenter absolut’ nënkupton ligji të votohet me shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve të komuniteteve shumicë në Kuvend, pavarësisht se sa janë të pranishëm në seancë.
- ‘Badenteri i vogël’ nënkupton ligji të kalojë me shumicën e numrit të deputetëve të pranishëm në sallë nga komunitetet joshumicë që marrin pjesë në votim.
Për atë se me cilën formë të Badenterit duhet apo nuk duhet të miratohet ky ligj, biseduam me profesorin universitar, Bashkim Selmanin, i cili sqaroi se kur duhet dhe kur jo të përdoret Badenteri i madh dhe ai i vogël.
Ai thotë se duke pasur parasysh se ligji trajton një të drejtë të dalë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, është e arsyeshme që të kërkohet jo vetëm legjitimitet numerik, por edhe legjitimitet ndërkomunitar.
“Për çështje që prekin identitetin, barazinë dhe përfaqësimin e komuniteteve, nuk mjafton vetëm shumica e votave. Nevojitet edhe shumica e besimit. Pikërisht këtë e garanton parimi i Badenterit, qoftë si mekanizëm juridik, qoftë si kulturë demokratike e konsensusit”, thotë Selmani.
Ai sqaron se nëse ligji rregullon përfaqësimin e komuniteteve, atëherë legjitimiteti nuk duhet të matet vetëm me numrin e votave të shumicës parlamentare, por me pëlqimin real të komuniteteve që preken nga ky ligj.
“Nëse përfaqësimi i drejtë është e drejtë kolektive e garantuar nga Marrëveshja e Ohrit, atëherë nuk mjafton vetëm të sigurohen votat për ta kaluar ligjin. Duhet të sigurohet besimi i komuniteteve për të cilat miratohet ai. Ky është dallimi midis Badenterit të vogël dhe Badenterit të madh. Ligjet që prekin të drejtat kolektive nuk duhet të jenë fitore e një shumice të përkohshme politike, por marrëveshje e qëndrueshme mes komuniteteve”, tha Selmani.
Profesori thotë se përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen.
“Prandaj një ligj për përfaqësim të drejtë duhet të kalojë me Badenter. Respektimi i Badenterit është garanci kushtetuese që asnjë komunitet nuk do të mbetet i përjashtuar nga vendimmarrja për çështje që i prekin drejtpërdrejt. Kalimi i një ligji të tillë vetëm me shumicë të thjeshtë mund të krijojë perceprimin se një komunitet vendos për të drejtat e një komuniteti tjetër”, tha Selmani.
Për detaje më të hollësishme, ndiqeni sqarimin e plotë të tij në videon më poshtë.
Kritikat kryesore të opozitës shqiptare për këtë ligj janë se i njëjti nuk parashikon kuota dhe mekanizma të qarta kontrolli mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe nuk parasheh masa sanksionuese.
Ndërkaq për pozitën shqiptare ky ligj është arritje, pasi pas mbi njëzet viteve nga Marrëveshja e Ohrit kjo çështje rregullohet me ligj.
Ky propozim-ligj ditë më parë kaloi në lexim të parë në Kuvendin e RMV-së. Gjatë debatit opozita dhe pozita hodhën akuza ndaj njëra tjetrës dhe dhanë interpretime të ndryshme rreth dispozitave ligjore.
Në Maqedoninë e Veriut për dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.





