Bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është në nivelin më të lartë

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mari Bërnzi, sot në poligonin e Armatës “Krivollak” morën pjesë në stërvitjen e pjesëtarëve të Armatës, që i përfshinte mjetet e reja të blinduara JLTV i ri Oshkosh dhe helikopterët e Armatës.

“‘Krivollak’-u është shembulli më i mirë për efikasitet të bashkëpunimit tonë të përbashkët. Kur kemi qëllime të qarta dhe jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit, dhe miqtë dhe partnerët tanë strategjikë janë gjithmonë këtu për të na ndihmuar”, tha ministrja pas ushtrimit demonstrues.

Siç theksohet në kumtesën e MM-së, Petrovska shtoi se pikërisht në “Krivollak” pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut dhe Forcave të Armatosura të SHBA-së stërviten jo pranë njëri-tjetrit, por me njëri-tjetrin, duke mësuar shkathtësi të reja, aftësi të reja dhe duke e zhvilluar së bashku ndërveprimin që është vendimtar për sigurinë dhe stabilitetin e të dyja vendeve dhe të zonës euroatlantike.

Lidhur me bashkëpunimin në mbrojtje të të dyja vendeve, Petrovska e theksoi zhvillimin e poligonit ku bashkërisht është përmirësuar infrastruktura dhe janë ndërtuar edhe përmbajtje të reja stërvitore, ndërsa në të njëjtën kohë mbi 1.000 pjesëtarë të Armatës kanë kryer një numër të madh trajnimesh dhe shkolla të larta në SHBA.

Së bashku, theksoi ministrja, e realizojmë edhe procesin e modernizimit, më i madhi në këtë fushë deri tani.

“Me furnizimin e mjeteve të reja të blinduara, JLTV Oshkosh dhe Stryker, bashkërisht po e ndryshojmë imazhin e Armatës dhe bashkërisht po krijojmë një Armatë e cila është dhe do të vazhdojë të jetë një vlerë e vërtetë për mbrojtjen kolektive, diçka që në këto kohë të pasigurta është një shtyllë për sigurinë tonë”, nënvizoi ministrja e Mbrojtjes.

Me rastin e përfundimit të mandatit të ambasadores Bërnz, ministrja Petrovska ka shprehur mirënjohje për vizionin e saj, përkushtimin dhe transparencën gjithmonë të ecim një hap më tej në zhvillimin e bashkëpunimit që është bazë e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta dhe të respektit dhe besimit të ndërsjellë.

Pas ushtrimit demonstrues, Petrovska edhe i dhuroi Bërnzit një flamur të Maqedonisë së Veriut dhe plaketë, në emër të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili është veçanërisht intensiv në periudhën kur Bërnzi është ambasadore e SHBA-së në vendin tonë.