Bashkëpunimi Kinë-Gjermani

Foto nga VCG

Kryeministri kinez Li Qiang tha të martën që Kina dhe Gjermania duhet të punojnë më nga afër, të japin më shumë kontribut për paqen dhe zhvillimin e botës, të luajnë rol stabilizues në një situatë në ndryshime të mëdha dhe të përshpejtojnë ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Kryeministri Li i tha këto gjatë bashkëdrejtimit të konsultimit të 7-të ndërqeveritar Kinë-Gjermani me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Të dy krerët e qeverive dëgjuan raportet mbi gjendjen e bashkëpunimit Kinë-Gjermani nga drejtuesit e 22 departamenteve qeveritare, si punët e jashtme, ekonomia e tregtia, industria, financa, drejtësia, transporti, arsimi, shkenca e teknologjia, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi.

Li tha që konsultimi ishte efektiv e pragmatik dhe pati rezultate të frytshme. Në gjendjen e tanishme, të dy palët duhet të kapin mundësitë e transformimit të gjelbër dhe të promovojnë bashkëpunimin dypalësh.

Ai propozoi që Kina dhe Gjermania duhet të bëhen partnere në zhvillimin e gjelbër, të forcojnë komunikimin e bashkërendimin mbi çështjet e gjelbra dhe mjedisore, të nxisin zhvillimin e teknologjisë së energjisë së gjelbër dhe përmirësimin e teknologjisë industriale dhe të thellojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si makinat me energji të reja, financat e gjelbra dhe tregjet e palëve të treta.

Kryeministri kinez shtoi më tej që Kina dhe Gjermania duhet të mbajnë një qëndrim pragmatik e të hapur për të arritur më shumë përfitime të ndërsjella. Sipas tij, të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin në qeverisjen ekonomike botërore, të sigurojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve ndërkombëtarë të industrisë e të furnizimit dhe të nxisin rimëkëmbjen sa më parë të ekonomisë botërore.

Foto nga Xinhua

Kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje nga ana e tij që mekanizmi i konsultimit ndërqeveritar tregon rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Gjermania është e gatshme të ruajë komunikimin e ngushtë me Kinën mbi të gjitha çështjet dypalëshe, duke përballuar së bashku sfidat globale, si ndryshimi klimatik, siguria ushqimore dhe problemet e borxhit.

Gjermania, sipas Scholzit, nuk synon të shkëputet nga Kina dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh me Kinën për të promuar zhvillimin dhe lulëzimin botëror.

Të dy palët ishin të një mendjeje që bashkëpunimi dypalësh ka bazë të fortë e gjallëri dhe se është në interes të të dy vendeve një bashkëpunim në një nivel më të lartë, standard më të lartë dhe cilësi më të lartë dhe ruajtja bashkërisht e qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit, gjë që ka rëndësi të madhe edhe për mbarë botën.

Të dy palët ranë gjithashtu dakord të ngrenë një mekanizëm dialogu e bashkëpunimi mbi ndryshimin e klimës dhe tranzicionin e gjelbër, të mbajnë Dialogun e 3-të Financiar të Nivelit të Lartë Kinë-Gjermani, si edhe edicionet e reja të Forumit Mjedisor Kino-Gjerman e dialogut shëndetësor, si edhe të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë e tregtisë, investimeve, prodhimit të makinave, teknologjisë së lartë, ekonomisë digjitale dhe shkencave humane.

Foto nga Xinhua

Pas konsultimit, Li dhe Scholz dëshmuan nënshkrimin e një numri dokumentesh bashkëpunimi ndërmjet të dy palëve në fusha si përballimi i ndryshimit të klimës, risitë, prodhimi i përparuar e arsimi profesional, si edhe u takuan bashkërisht me mediet. (Jiang Lei)