Barnier: Asnjë marrëveshje me çfarëdolloj kushti me Londrën

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, paralajmëroi sot se BE nuk do të realizojë një marrëveshje pas Brexit me çfarëdolloj kushti me Britaninë e Madhe, e planifikuar për në fund të këtij viti.

“Bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare mes BE-së dhe Londrës do të jenë të vështira, mbase edhe shumë të vështira”, paralajmëroi Michel Barnier në një konferencë për shtyp në Bruksel, pasi mori miratimin e të 27-ve të BE-së për mandatin e tij negociues.

Barnier premtoi se do t’i vazhdojë negociatat me britanikët me respekt, pa marrë pjesë në ndonjë polemikë, duke aluduar kështu për vërejtjet e fundit të sekretarit të Shtetit të Irlandës së Veriut, Brandon Lewis.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do të fillojnë javën e ardhshme negociatat për marrëdhëniet tregtare.

“Mandati u miratua. Jemi gati. Bisedimet me Britaninë e Madhe do të fillojnë javën që vjen më 2 mars”, njoftoi von der Leyen në Twitter.

Ekzekutivi i bllokut është përgjegjës për negocimin e marrëveshjeve tregtare të BE-së me vendet e treta.

“Jemi të vendosur në arritjen e një marrëveshjeje që mbron interesat e BE-së”, deklaroi negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, ndërsa von der Leyen theksoi se një partneritet i ngushtë dhe ambicioz është në interesin më të mirë të palëve.