Barcelona rivalizon Real Madridin, interesohet për transferimin e Mbappes

Gjiganti katalunas, Barcelona e ka vendosur yllin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, në radarin e saj, duke tentuar të rivalizojë Ral Madridin për transferimin e francezit si lojtar i lirë në verë.

Sipas gazetarit Jota Jordi të El Chiringuito, Barcelona është e interesuar për nënshkrimin e Mbappe në afatin kalimtar të verës.

Kjo vjen pasi Mbappe i tha PSG-së se dëshiron të largohet në fund të sezonit kur i përfundon kontrata në fund të muajit qershor.

Thuhet se Barcelona është në kërkim të një ylli të madh me Rafa Leao të Milanit të emëruar si kandidatin e tyre ideal, por vështirë se ka një yll më të madh se Mbappe momentalisht.

Megjithatë, Fabrizio Romano thotë se është Real Madrid ai që ka të ngjarë të nënshkruajë me Mbappen në fund të ditës. Ky është një sekret i hapur.

Los Blancos kanë ndjekur francezin për pesë vitet e fundit dhe do të shfrytëzonin këtë mundësi për të marrë më në fund lojtarin e tyre.

Sfidat financiare të Barçës gjithashtu e bëjnë Mbappen shumë të shtrenjtë edhe si lojtar i lirë.

Francezi thuhet se do të fitojë 35 milionë euro bruto në vit në Real Madrid nëse ai transferohet atje. Barça do ta kishte pothuajse të pamundur të konkurronte kundër kësaj oferte.

Mbappe ka shënuar 31 gola në 30 ndeshje për PSG-në këtë sezon. Ai gjithashtu ka shtatë asistime, duke e bërë atë sulmuesin më të mirë në të gjithë Evropën.