Barcelona po konsideron mundësinë për të nënshkruar me një lojtar të ri pas lëndimit të Balde

Sot (e shtunë) Barcelona përmes një komunikate zyrtare, njoftoi se Alejandro Balde ka humbur pjesën e mbetur të sezonit dhe se së shpejti do t’i nënshtrohet operimit në Finlandë.

Ky lajm padyshim që ka shqetësuar Xavin ashtu si dhe krerët e klubit, andaj tani klubi blaugranas po e konsideron mundësinë për të nënshkruar me një lojtar të ri për të zëvendësuar mbrojtësin spanjoll.

La Liga e lejon klubin që të regjistrojë zëvendësuesin e mbrojtësit të majtë, në rast e është e konfirmuar se ai do jetë jashtë fushave për katër muaj. Balde ka vendosur që t’i nënshtrohet operimit, andaj ky kriter do të plotësohet.

Kjo formulë ishte përdorur kur Gavi pësoi një lëndim që i humbi sezonin. Paga e tij nuk ishte më e përfshirë tek Barcelona, kështu që La Liga e lejoi Barcelonën që të regjistrojë Vitor Roquen.

Një ndër kandidatët e mundshëm për transferim është lojtari i Las Palmas, Sergi Cardona, kontrata e të cilit skadon gjatë verës.

Tani mbetet të shihet nëse blaugranasit do të nisin negociatat gjatë afatit kalimtar të janarit, për të siguruar shërbimet e tij.

Momentalisht, Joao Cancelo dhe Hector Fort pritet të jenë opsionet e Xavit për pozitën e krahut të majtë.