Barcelona ia cakton çmimin e largimit Depayt

Barcelona raportohet se është e gatshme për të lejuar largimin e Memphis Depayt në janar.

Holandezi ishte i lidhur me një largim edhe gjatë verës, por afati kalimtar u mbyll dhe ai mbeti në “Camp Nou”.

Depay nuk po ka vend në formacionin e Xavit, teksa nuk vlerësohet të jetë në planet e tij dhe klubit për të ardhmen.

Ish-sulmuesi i Lyonit ka kontratë të vlefshme vetëm deri në përfundim të këtij sezoni, që do të thotë se ai është i lirë të zhvillojë bisedime me klube tjera që nga janari i vitit 2023.

Barcelona thuhet se nuk po planifikon të rinovojë kontratën me të, por klubi dëshiron që të fitojë sadopak nga shitja e tij.

Sipas “AS”, ofertat për afro 5 milionë eurove do të konsideroheshin seriozisht nga katalunasit.

Tutje, sipas mediumit spanjoll, Chelsea mund të jetë një opsion për 28-vjeçarin.

Ndërkohë, edhe ish-klubi i Depayt, Manchester United, besohet se po i vëzhgon me vëmendje zhvillimet, sidomos pas situatës së krijuar me Cristiano Ronaldon, i cili mund të largohet në janar nga “Old Trafford”.