Barcelona e gjen në Francë zëvendësuesin ideal të Lewandowskit

Barcelona herët ose vonë do të detyrohet që të përforcojë pozitën e numrit nëntë me Robert Lewandowskin që do të mbush 37 vjet në sezonin e tij të fundit të kontratës.

Sulmuesi polak e pa Vitor Roquen duke u transferuar këtë janar, por duket se blaugranasit nuk janë të bindur nga braziliani i cili iu kushtoi 30 milionë euro.

Kjo do të thotë se ata do të futen në ‘gjueti’ për një tjetër sulmues qendre dhe tani është raportuar se ata janë duke monitoruar yllin e Lille, Jonathan David.

24-vjeçarit do t’i skadojë kontrata verën e ardhshme dhe duket se qëllimi i tij është që të provojë një eksperiencë të re diku tjetër përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Lille për ta zgjatur bashkëpunimin.

Mediumi katalanas Sport ka raportuar se ka edhe klube të Ligës Premier që janë të interesuara për shërbimet e kanadezit ndërsa Juventusi është ekipi më aktiv sa i përket interesimit për David.

David ka shënuar 91 gola dhe ka dhuruar 21 asistime në 194 paraqitje për Lille dhe në dy sezonit e fundit ka shënuar nga 26 gola në secilin prej këtyre sezoneve.

Ai gjithashtu e ka aftësinë për të luajtur në pozita të ndryshme në sulm dhe në moshën e tij kjo është një vlerë shtesë të cilën Barcelona e ka pasur të rëndësishme gjatë sezoneve të fundit.