Barcelona do të nisë parasezonin më 4 korrik

Barça do të kryejë testet e zakonshme mjekësore në mëngjes dhe pasdite do të kryejë stërvitjen e parë.

Barcelona do t’i rikthehet aktivitetit të saj futbollistik më 4 korrik në ‘Ciudad Deportiva Joan Gamper’.

Në mëngjesin e katër korrikut, lojtarët e Xavi Hernandez do të kryejnë testet e zakonshme mjekësore dhe pasdite, stërvitjen e parë, transmeton lajmi.net.

Ditë më vonë, skuadra e Barcelonës do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për të luajtur kundër Inter Miami CF, më 19 korrik në Miami dhe New York Red Bulls, më 30 korrik në Nju Jork.

Duhet theksuar se vizita e fundit e Barçës në SHBA ishte tre vite më parë, në verën e vitit 2019.

Por, pa dyshim, në dekadën e fundit ajo ka qenë një destinacion i rregullt në parasezonin e ekipit të parë. Përveç vizitës në vitin 2019, ata kanë udhëtuar edhe në vitet 2011, 2015, 2017 dhe 2018 drejt SHBA-ve.