Banorët e Siniçanit pa ujë të pijshëm, policia ndërpret punimet rreth ujësjellësit

Policia ka ndërprerë punimet e banorëve të Siniçanit për sjelljen e ujit për pije nga bjeshka, edhe pse lejet e nevojshme për punë janë dhënë si nga komuna po ashtu edhe nga Ministria e ekologjisë. Kreu i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili, është ankuar se për kërkesat e tij asnjëherë nuk ka përgjigje me shkrim nga MPB-ja

Jam shumë i habitur përse organet e rendit janë futur në lojë derisa ka një vendim këshilli komunal, ka një urdhëresë pune nga ana e komunës, ndërmarrjes. Policia çdo ditë rrit forcat policore, sot jam informuar se janë mbi 30 forca policore lartë të cilët pengojnë punimet për furnizimin me ujë për pije – deklaroi Albon Xhemaili, kryetar i komunës së Bogovinës.

Pengesat nga ana e policisë, vinë në momentin kur nga komuna e Bogovinës kërkohet asistencë policore për sigurimin e fshatarëve të Siniçanit që punojnë në bjeshkë. Të pyetur për rastin në fjalë, nga SPB Tetovë, thonë se nuk ka evidencë të atillë. Këshilltari komunal i fshatit Siniçan, është shprehur për Alsat se, nëse vazhdohet me këto presione, banorët do ngritën në protesta.

Masa në fshat është duke u revoltuar. Fshatarët do marrin masa më të rrepta. Do shkohet me protesta të rrepta deri në 24 orë – u shpreh Bidajet Sulejmani, këshilltar komunal.

“Ne nga politika kërkojmë që ato të na ndihmojnë, ose i lusim, vetëm të na lejnë rehat ti kryejmë punët tona dhe nëse ka mundësi të na ndihmojnë ata që mund të na ndihmojnë.

“Unë dua ta tregoj atë anën mjekësore. Thjeshtë mund të na ndodh epidemi e paparë. Të përdor një popull permanent një ujë me përbërje fekale dhe mos nis puna për zgjidhjen e problemit unë nuk mund ta kuptoj si mjek. Apeloj të zgjidhet problemi i ujit në aspekt shëndetësor se do na ndodh ndonjë katastrofë epidemike sepse ju garantoj si mjek do mund të ndodh”.

Fshati Siniçan i komunës së Bogovinës, me dekada të tëra konsumon ujë të ndotur dhe me bakterin esheria koli. Uji është i ndaluar edhe për përdorin teknik. Banorët thonë se shumë kanë kërkuar nga përfaqësuesit politik zgjidhjen e problemit të tyre, por jo vetëm që nuk kanë gjetur përkrahjen e tyre përkundrazi tani edhe pengohen kur banorët me vetëfinancim morën nismën për zgjidhjen e këtij problemi.