Banorët e Shtipit dhe Pllasnicës votojnë për kryetar komune

Në Shtip dhe Pllasnicë votohet për kryetar komune. Të drejtë vote në Komunë e Shtipit kanë 41.777 qytetarë, ndërsa në Pllasnicë 4.954. Sot votojnë personat e infektuar me virusin korona dhe ata që ndodhen në izolim. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton se në Shtip janë paraqitur 12 votues për sot, ndërsa në Pllasnicë asnjë votues. Për këtë arsye në këtë komunë sot nuk janë hapur vendvotimet. Ndërkohë të shtunën do të votojnë personat e sëmurë dhe të burgosurit. Për Shtip janë paraqitur 67 të burgosur, ndërsa në Pllasnicë vetëm 1.

Dita zyrtare e zgjedhjeve është të dielën, ndërsa për dallim nga zgjedhjet parlamentare në këto zgjedhje në dy komunat nuk do të ketë orar të zgjatur për votim, përkatësisht kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19.

Deri të dielën kur mbyllen kutitë e votimit, vendi është në heshtje zgjedhore. Ekspertët vlerësojnë se Kodi Zgjedhorë duhet ndryshuar me qëllim lehtësimin e mbulimit të procesit zgjedhorë dhe aktiviteteve të tjera politike dhe institucionale. Ish kryetari i KSHZ-së, Aleksander Novakovski përmes një bisede telefonike thekson se heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale duhet shfuqizuar nga dispozitat e Kodit Zgjedhor për shkak se bëhet fjalë për proces zgjedhor të nivelit të kufizuar, i cili sipas tij nuk ndikon në nivelin qendror dhe anasjelltas.

Zgjedhjet në Shtip dhe Pllasnicë vijnë si rezultat i ikjes së krerëve të komunave për pozita në ekzekutiv./Alsat