Babë e bir rrahën me grushte dy përmbarues në Librazhd

Dy zyrtarë (përmbarues gjyqësorë) pasi shkuan në një hotel në fshatin Mirak të Librazhdit për të ekzekutuar një vendim civil për dëmshpërblim u goditën me grushte nga dy të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dy personat e dyshuar janë babë e bir, njëkohësisht pronarë të hotelit.

“Goditën me grushte 2 përmbarues gjyqësorë, të cilët iu kishin shkuar në ambientet e hotelit, për të ekzekutuar një vendim civil për dëmshpërblim, arrestohen menjëherë babë e bir.

Pas marrjes së njoftimit se në ambientet e një hoteli në fshatin Mirakë, 2 shtetas kishin goditur me grushte, për shkak të detyrës, 2 përmbarues gjyqësorë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës”,thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.

Tutje bëhet e ditur se për këtë rast u arrestuan dy personat e dyshuar, babë e bir.

“U arreastuan në flagrancë shtetasit M. H., 50 vjeç dhe N. H., 24 vjeç (babë e bir), të dy banues në Elbasan, pasi dyshohet se për shkak të detyrës, kanë goditur me grushte 2 përmbarues gjyqësorë, të cilët kishin shkuar në ambientet e hotelit të 2 shtetasve të arrestuar, për të sekuestruar pajisje të këtij hoteli, në zbatim të një vendimi civil të vitit 2014, të Gjykatës së Elbasanit, me objekt dëmshpërblimin e shtetasve të tjerë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.