Aziri: Propozimi i Qeverisë për përfaqësimin e drejtë nuk është ligj, por një “pamflet”

Deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, ka kritikuar ashpër propozim-ligjin e Qeverisë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke vlerësuar se ai nuk i plotëson kriteret themelore të një ligji dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për çështjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë.

Gjatë emisionit Impakt, Aziri deklaroi se dokumenti i propozuar nga Qeveria “nuk është ligj, por një pamflet”, duke shtuar se ai paraqet vetëm një shprehje të vullnetit politik për t’i krijuar opinionit përshtypjen se po ndërmerren hapa për rregullimin e përfaqësimit të drejtë.

“Kemi një ndeshje, kemi një konflikt mes asaj që thuhet publikisht dhe realisht rreth asaj që është e shkruar në ligj. Publikisht thuhet se me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të rregullohet çështja që nuk është rregulluar 20 vjet për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që i referohet sigurisht komuniteteve jo shumicë. Por, ligji brenda nuk përmban asnjë nen që i referohet kësaj çështje, nuk përmban asnjë mekanizëm zbatues që i referohet kësaj çështje, nuk përmban as instrumente të kontrollit për këtë çështje dhe nuk përmban as masa ndëshkuese dhe as sanksione që do të aplikoheshin në rast se nuk përfillet, nuk zbatohet ligji si i tillë”, tha Aziri.

Ai më tej shtoi se, në kërkesën drejtuar Komisionit është theksuar se ligji nuk duhet të përmbajë kuota etnike, por duhet të mbështetet në parimet e meritokracisë dhe profesionalizmit.

“Një gjë është shumë e rëndësishme për opinionin, të jetë i informuar opinioni që, qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministri kanë dërguar disa çështje te Komisioni i Venedikut, për t’i dhënë orientim, për t’i dhënë drejtim komisionit se si të bëj vlerësimin e kësaj që e ka propozuar. Në mënyrë taksative, është thënë se nga ana e qeverisë drejt komisionit i venedikut, është thënë se, ligji nuk guxon të përmban kuota etnike, por ligji duhet të përmbajë meriotkraci dhe duhet të përmbajë profesionalizëm”, tha ai.