Aziri: Do t’i tërheqim amendamentet që sot nëse VMRO-ja zhbllokon Ligjin për shtetësi(VIDEO)

Opozita shqiptare është e gatshme që sot t’i tërheq amendamentet nga Komisioni për Financa dhe Buxhet për t’i hapur rrugën miratimit të pakos së pestë ekonomike, nëse një gjë të tillë e bën edhe VMRO-DPMNE-ja me amendamentet kundër Ligjit për Shtetësi, shkruan gazeta LAJM. Paralajmërimin e ka bërë deputeti Elmi Aziri nga koalicioni ASH-AAA.
“Që nga fillimi i këtij debati ne kemi deklaruar se të gjithë qytetarët duhet të trajtohen njësoj. Edhe kryetarët tanë në takimet me gazetarët që e patëm së fundmi deklaruam se në momentin që tërhiqet bllokada për Ligjin për Shtetësi në Komisionin Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, të njejtën do ta bëjmë edhe ne për pakon e pestë ekonomike në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Pra, qendrojmë konform asaj që e kemi deklaruar në kuadër të debatit për Ligjin për Shtetësi. Ne shpresojmë që ajo do të ndodh sot dhe natyrisht edhe veprimi ynë i debllokimit do të ndodh sot”, tha deputeti Elmi Aziri.
Paraprakisht, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE paralajmëroi se do të tërheq të gjitha amendamentet e propozuar nga Ligji për shtetësi dhe ftoi shumicën parlamentare që ta vendosin ligjin menjëherë në seancë./Gazeta Lajm

Prononcimin e deputetit Elmi Aziri mund ta ndiqni KETU