Avokati i të dyshuarit për vrasjen e nënës: Ai duhet të shkojë në ekzaminim urgjent psikiatrik

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj U.H, i cili dyshohet se mbrëmë në Pejë vrau nënë e tij.

Asdren Mekaj, avokati mbrojtës i të dyshuarit, për Klankosova.tv tha se e ka kundërshtuar këtë vendim, sepse siç u shpreh ai, klienti i tij duhet të shkojë në ekzaminim urgjent psikiatrik.

“Meqë jemi në fazën fillestare ku organet e hetuesisë akoma nuk kanë kryer punën e tyre, unë do përmbahem nga diskutimi i mëtejme i çështjes, deri në një fazë tjetër”.

“Ajo që ndodhi sot është procedure standarde në secilin rast, pra Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit, unë kundërshtova duke arsyetuar se klienti im duhet të shkojë në ekzaminim urgjent psikiatrik”, tha Mekaj për Klankosova.tv.

Avokati tha se rrethanat e këtij rasti e bëjnë atë të jetë i rezervuar të komentojë më shumë.

Ndërkaq, në njoftimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit u tha se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën, siç thuhet në njoftim, Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 dhe 1.4 të KPRK-së”, u tha në njoftimin e gjykatës.