Avokati i Popullit i kthehet me kritika Qeverisë: Po e shkurton buxhetin tonë!

Kushtet e këqija në burg dhe rritja e numrit të të burgosurve si dhe mbrojtja shëndetësore e të burgosurve, arsimimi nëpër burgje dhe risocializimi, ankesa të shumta nga prindërit që janë detyruar t’u blejnë fëmijëve tabletë për në shkollë, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe faturat paushalle të EVN-së, të drejtat e fëmijëve me nevoja të posaçme, problemet në Gjykatën Civile, problemet me përmbaruesit, janë ankesat më të shpeshta të qytetarëve tek Avokati i Popullit, i cili brenda 2021-shit ka vepruar për 3075 lëndë.

“Nga ky numër i përgjithshëm dominojnë parashtresat nga lëmia e jurispodencës apo 436 prej tyre 16,23%, pastaj të drejtat e fëmijëve me 254, të drejtat e konsumatorit me 228 të drejtat nga mbrojtja sociale 218, marrëdhënie e punës 183, institucionet ndëshkimore-përmirësuese, marrëdhëniet pronësoro juridike, urbanizmi, ambienti etj”, tha Naser Zyberi, Avokat i Popullit.

Në 755 lëndë Avokati i Popullit ka hasur shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, nga këto në 232 raste nga këto institucionet kanë vepruar pasi ka reaguar Avokati i Popullit, ndërsa të tjerat janë përmirësuar. Zyberi kërkoi nga qeveria t’i zbatojë masat dhe që dali nga rekomandimet e dhëna nga Avokati i Popullit dhe jo si në dy vitet e kaluara që asnjëherë nuk ka dhënë raport për zbatimin e masave. Kërkoi të plotësohen kushte për veprimtarinë e Avokatit të Popullit.

“Brenda 1 viti për 30% është shkurtuar buxheti i Avokatit të Popullit, unë këtë e kuptoj si tendencë për ta ngulfatur institucionin për të mos e bërë monitorimin e institucioneve mbi të cilat ushtrojmë ndikim”, theksoi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit si më të papërgjegjshme në bashkëpunimin e cilësoi Mistrinë e Shëndetësisë. Zyberi shprehet se do të ngrejë iniciativë të ndryshojë ligji për marrëdhënie obligative.