Avioni më i madh i ngarkesave në botë dërgon furnizime mjekësore në Poloni

Avioni më i madh i ngarkesave në botë, “Antonov An-225 Mriya”, arriti sot në Varshavë, duke transportuar pajisje mjekësore nga Kina, të nevojshme në luftën kundër koronavirusit.

An-225 zbarkoi në aeroportin e Varshavës sot në mëngjes.

Ngarkesa përfshin 7 milionë maska për fytyrën dhe disa qindra mijëra veshje mbrojtëse, të porositura nga dy firma të mëdha polake, “Lotos” dhe “KGHM”.

Transportuesi i ngarkesave të rënda An-225, është avioni më i madh në në botë, me një gjatësi prej 84 metrash dhe një gjerësi krahësh mbi 88 metra. Fuqizohet nga gjashtë motorë dhe është në gjendje të transportojë mbi 250 tonë ngarkesë.

Deri tani në Poloni janë konfirmuar 7 049 raste dhe 251 viktima nga koronavirusi.