Autostradat që përjetojnë transformimin e gjelbër

Ndërsa një numër në rritje objektesh të energjisë së pastër janë futur në përdorim, autostradat kineze po kalojnë një transformim të gjelbër.

Gjatë autostradës që lidh qytetet Taiyuan dhe Xinzhou në provincën Shanxi të Kinës Veriore, të zë syri një “oqean” reflektues panelesh fotovoltaike dhe shtylla të shumta ngarkimi të baterive të automjeteve elektrike në zonat e shërbimit dhe pikat e pagesës së tarifës të autostradës.

“Dhjetë vjet më parë, shtyllat e ngarkimit të baterive të automjeteve elektrike në zonat e shërbimit të autostradës ishin të rralla, por tani ato janë pothuajse standarde,” tha Liu Xia, i cila po ngarkonte baterinë e mjetit të vet në këtë autostradë.

Ajo tha se automjetet elektrike janë të përshtatshme për udhëtimet në autostradë, sepse infrastruktura dhe shërbimet e ngarkimit të baterive po zgjerohen. “Ne nuk kemi më nevojë të shqetësohemi për radhët e gjata për të ngarkuar baterinë e makinës gjatë pushimeve dhe fundjavëve.”

Pajisjet fotovoltaike përgjatë autostratës Taian-Taierzhuang në provincën Shangdong të Kinës Lindore / foto nga CFP
Sistemi fotovoltaik i autostradës u vu plotësisht në funksionim nëntorin e kaluar dhe u përcaktua si një projekt demonstrimi fotovoltaik i zgjuar në nivel kombëtar nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit sivjet.

“Projekti përdor efektivisht tokën dhe strukturat e pashfrytëzuara nëpërmjet prodhimit të energjisë diellore të përndarë, duke siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, ndërsa pakëson lëshimet e karbonit, dhe duke u bërë një pikë referimi për përdorimin e energjisë së pastër në autostrada,” tha Chen Jianwen, menaxheri i projektit.

Kina është një vend udhëheqës në sektorin global të energjisë së përtëritshme dhe ka gjatësinë më të madhe të autostradave në botë. Deri në fund të qershorit, në rrugët kineze qarkullonin 24.72 milion makina me energji të reja, teksa ka një potencial të madh zhvillimi në integrimin e autostradave dhe sektorit fotovoltaik.

Kina nxit shfrytëzimin dhe ngritjen e zonave të shërbimit në autostrada me lëshim pothuajse zero karboni, si dhe ndërtimin e infrastrukturës fotovoltaike të lidhur me to, sipas një vargu udhëzimesh të publikuara nga Ministria e Transportit këtë vit.