Autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër, detaje nga atentati me katër të plagosur në Tiranë

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me katër të plagosur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.

Sipas burimeve në media dy kushërinjtë, shoku i tyre dhe shoferi i familjes kanë qenë në Pjezë të Shijakut duke festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit.

Mësohet se autorët dyshohet se ishin 3 persona dhe udhëtonin me një automjet tip fuoristradë, të cilët pas ngjarjes kanë ikur në drejtim të paditur, raporton Euronews Albania.

Ata e kanë ndjekur mjetin tip G-Class që nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe kanë hapur zjarr drejt tyre në zonën e Tregut Agroushqimor, duke i ndjekur deri në afërsi të një qendre tregtare në Lundër.

Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë, por dyshohet që autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se cilat persona po udhëtonin brenda në automjetin G-Class që e kishin nën shënjestrën e tyre.

Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur pas ngjarjes të cilët te tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr.

Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt.