Numri i automjeteve me energji të reja në përdorim në Kinë ka vazhduar të rritet shpejt, duke arritur në 31.4 milionë deri në fund të vitit 2024, njoftoi të premten Ministria e Sigurisë Publike.
Në vitin 2014, vetëm 120 mijë automjete me energji të reja qarkullonin në rrugët kineze, ndërsa gjatë dekadës së fundit shifra u rrit 260 herë, falë përparimit teknologjik të Kinës në këtë industri, përmirësimit të infrastrukturës së ngarkimit të baterive dhe ndërgjegjësimit në rritje të kinezëve për mbrojtjen e mjedisit, bëri të ditur ministria.
Sipas saj, në vitin 2024, automjetet me energji të reja përbënin 8.9 për qind të numrit të përgjithshëm të automjeteve në Kinë, ndërsa numri i automjeteve me energji të reja të saporegjistruara u rrit me 51.49 për qind krahasuar me vitin 2023, duke arritur në 11.25 milionë.
Të dhënat zyrtare tregojnë që automjetet me energji të reja kineze përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të botës. Sipas Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, Kina ka tregun më të madh të automjeteve me energji të reja në botë, si edhe një nga tregjet më të mëdha dhe më të hapura të mjeteve motorike.
Vëzhguesit kanë theksuar potencialin kolosal të kërkesës së brendshme, duke vënë në dukje se ajo do të nxisë më tej zhvillimin e industrisë së automjeteve me energji të reja.
Këto automjete pritet të jenë një mënyrë kyçe transporti gjatë fluksit të udhëtimit të këtij viti në kuadrin e Festës së Pranverës, i cili filloi të martën. Për të mbështetur më mirë drejtuesit e automjeteve me energji të reja gjatë udhëtimit të tyre për në vendlindje, gjithsej 33 100 stacione ngarkimi baterish janë vendosur në mbarë zonat e shërbimit rrugor të Kinës, dhe 97 për qind e këtyre zonave kanë tani pajisje ngarkimi baterish.