Autobusa me protestues nga Beogradi në veri, deklarohet Policia

Përderisa vendimi për reciprocitet me targa ndaj Serbisë po vazhdon të zbatohet si dhe po respektohet e drejta për protestë të qytetarëve serbë në veri kundër këtij vendimi, pala serbe nuk ka ndalur shpërndarjen e dezinformatave në rrjetet sociale.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë sot ka deklaruar se një grup i qytetarëve serb është sulmuar dje nga shqiptarët në pjesën jugore të Mitrovicës, duke thënë se arsyeja ka qenë situata dhe tensionet në pjesën veriore të kësaj komune.

Në fakt, Policia e Kosovës dje ka raportuar dhe ka konfirmuar se ka ndodhur një incident në pjesën jugore të Mitrovicës ku janë përfshirë dy grupe të qytetarëve, të cilët kanë qenë duke pritur pranë zyrës për shërbime dhe programe të Ministrisë së Bujqësisë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë dhe arsyeja nuk ka qenë situata në veri por një incident mes dy grupeve ku janë përfshirë rreth 20 persona, ndërsa qytetarëve të lënduar i është ofruar tretman mjekësor, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për tretman.

Gjithashtu, mbrëmë është raportuar se në Jarinjë kanë arritur dy autobusa me targa të Beogradit, ku është thënë se kanë sjell protestues në pikat ku po protestojnë qytetarët serbë.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se ky lajm nuk qëndron, pasi që sipas tyre qytetarët serbë udhëtojnë me autobus në baza ditore dhe me linjë të rregullt, por kanë bërë të ditur se autobusët nuk kanë kaluar kufirin pasi që rruga është e bllokuar, andaj qytetarët kanë zbritur dhe hipur në autobus në afërsi të pikës kufitare.

Policia ka konfirmuar edhe një herë se këto raportime në media nuk kanë të bëjnë me situatën në veri.

Aktualisht gjendja në veriun e Kosovës është e qetë, ndërsa ende nuk janë larguar bllokadat nga protestuesit serb.